

Librazhd – Qarkullimi në aksin kombëtar Librazhd–Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII, mbetet i paralizuar pas rrëshqitjeve masive të gurëve dhe dherave në zonën e njohur si “Kthesat e Dragostunjës”, duke krijuar një situatë të rënduar për qindra udhëtarë.
Kompania e angazhuar në ndërtimin e segmentit rrugor, ka nisur ndërhyrjen për shembjen e masivit të rrezikshëm shkëmbor, pas bllokimit të plotë të aksit. Gjatë punimeve, masivë të mëdhenj dherash dhe gurësh janë hedhur në trupin e rrugës, duke e mbajtur të pamundur qarkullimin, veçanërisht në drejtim të juglindjes.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar edhe ekipet e mirëmbajtjes së firmës kontraktuese, përgjegjëse për aksin Elbasan–Qafë Thanë. Në terren po operojnë katër ekskavatorë dhe një fadromë, ndërsa ndërhyrjet po zhvillohen në kushte të vështira për shkak të shembjeve të vazhdueshme.
Prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, konfirmoi se prioritet mbetet hapja e pjesshme e qarkullimit:“Po punohet për të mundësuar kalimin e mjeteve në njërën anë të aksit rrugor.”
Si pasojë e bllokimit, në të dyja senset e lëvizjes janë krijuar radha kilometrike automjetesh, që sipas raportimeve arrijnë deri në 20 kilometra, duke paralizuar trafikun dhe lëvizjen ndërqytetase.
Autoritetet bëjnë me dije se punimet do të vijojnë me intensitet të shtuar dhe se, nëse kushtet e sigurisë e lejojnë, rreth orës 18:00 pritet hapja e pjesshme e rrugës për qarkullim.
Ndërkohë, u bëhet thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë aks dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për zhvillimet e mëtejshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






