Transmetuar më 01-02-2026, 13:56

Finalizohet operacioni policor “Fast” në Mirditë, arrestohet 52-vjeçari për zjarrvënie të qëllimshme

Policia e Mirditës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Fast”, duke identifikuar, kapur dhe arrestuar një 52-vjeçar, i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme në dy subjekte tregtare në qytet.

Ngjarja ka ndodhur në tregun e qytetit të Mirditës, ku një dyqan me materiale të përdorura është përfshirë nga flakët, ndërsa në një gomisteri janë djegur disa goma, në një përpjekje për ta përfshirë të gjithë subjektin nga zjarri. Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të strukturave të Policisë, është bërë e mundur ndërhyrja në kohë dhe parandalimi i përhapjes së mëtejshme të zjarrit.

Pas njoftimit për ngjarjet, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë organizuar menjëherë veprimet hetimore në vendngjarje. Nga verifikimet e kryera ka lindur dyshimi i arsyeshëm se të dy rastet ishin zjarrvënie të qëllimshme.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor “Fast”, në kuadër të të cilit u arrestua shtetasi L. V., alias A. V., 52 vjeç, banues në fshatin Ndërfushaz, Mirditë, i dyshuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Sipas Policisë, 52-vjeçari rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë, i dënuar më herët për dhunë në familje, kundërshtim të punonjësve të Policisë për shkak të detyrës, dëmtim prone, mbajtje pa leje të armëve të ftohta, si dhe për thyerje të masës së sigurisë “arrest në shtëpi”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të të dy rasteve të zjarrvënies, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit