Transmetuar më 01-02-2026, 10:07

GOLLOBORDË – Rrëshqitje gurësh dhe inertesh është regjistruar në rrugën që lidh zonën e Gollobordës me pikën kufitare të Trebishtit, e cila lidh Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut.

Kjo rrugë është jetike për banorët e Gollobordës në Bashkinë Bulqizë, pasi përmes saj ata sigurojnë furnizimin me ushqime, karburant dhe kryejnë shërbimet shëndetësore, duke dërguar të sëmurët në spitalet e Dibrës së Madhe në Maqedoninë e Veriut.

Sipas banorëve, gurët dhe inertet ndodhen në rrugë prej më shumë se dy javësh, pa asnjë ndërhyrje nga institucionet përgjegjëse. Pamjet janë vetëm pak metra larg pikës kufitare të Trebishtit, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese.

Banorët shprehen se kjo është e vetmja rrugë funksionale për ta, pasi aksi që lidh Gollobordën me Bulqizën është tej mase i amortizuar dhe i vështirë për qarkullim. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për pastrimin e rrugës, pasi rreziku për aksidente është i vazhdueshëm dhe pengon lëvizjen normale të mjeteve dhe qytetarëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit