

TIRANË – Kryeministri Edi Rama ka komentuar sot zhvendosjen e zyrës së Kadastrës së Vlorës në Tiranë, duke theksuar se shërbimi për qytetarët nuk ka ndryshuar, pasi të gjitha procedurat mund të kryhen përmes platformës online E-Albania.
Rama shtoi se keqkuptimi për vendndodhjen fizike të zyrës ka shkaktuar tension dhe zhurmë të panevojshme. “Agjencia e Kadastrës ka kaluar prej kohësh nga një model i vjetëruar, me sportele e radhë dhe zvarritje, në një model online. Shumica e procedurave nuk kërkojnë më paraqitje fizike; të gjitha ndiqen online”, tha ai.
Sipas Kryeministrit, zhvendosja e zyrës është pjesë e një procesi më të gjerë: shërbimet e Kadastrës synojnë të funksionojnë pa sportele fizike, me qasje të drejtpërdrejtë për qytetarët përmes celularit ose kompjuterit, pavarësisht nga vendndodhja e zyrës.
“Ky nuk është veprimi i parë për zhvendosjen e një drejtorie vendore dhe nuk do të jetë i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen, ndërsa qëllimi ynë është të sigurojmë mbylljen e ciklit të shërbimit: aplikimi, përpunimi dhe marrja e dokumentit të kërkuar të bëhet plotësisht online, pa pasur nevojë për postë apo sportele fizike”, u shpreh Rama.
Ky ndryshim vjen si pjesë e transformimit digjital të administratës shqiptare, duke synuar përmirësimin e aksesit të qytetarëve në shërbime publike dhe reduktimin e burokracisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






