

TIRANË – Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “LOCKDOWN”, pas një hetimi dy-mujor me metoda proaktive, duke goditur një grup kriminal të përfshirë në trafikun e armëve të zjarrit nga Kosova drejt kryeqytetit.
Në kuadër të operacionit, specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë vënë në pranga katër shtetas, të dyshuar si pjesëtarë të këtij grupi:
Gloris Nezaj, 39 vjeç
Rezarto Rumi, 48 vjeç
Kelvin Caushi 49 vjeç
Ardjan Caushi, 45 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Hetimet kanë nxjerrë në pah se të arrestuarit sillnin armë zjarri kryesisht nga Kosova, të cilat më pas modifikoheshin dhe magazinoheshin në një ambient të përshtatur në zonën e Selitës.
Gjatë kontrollit të kryer në ambientet e banesave dhe magazinave të tyre, shërbimet e Policisë sekuestruan:
8 armë zjarri (5 pistoleta dhe 3 automatikë),
pjesë të ndryshme armësh,
1 armë gjahu,
krehra dhe municion luftarak,
3 radio të ngjashme me ato të policisë,
1 jelek multifunksional,
9 celularë.
Sipas policisë, operacioni ka shërbyer jo vetëm për arrestimin e të dyshuarve, por edhe për parandalimin e shpërndarjes së mëtejshme të armëve në territorin e kryeqytetit.
Prokuroria dhe Policia po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i janë referuar organit të akuzës për veprime të mëtejshme ligjore.
Operacioni “LOCKDOWN” konfirmon angazhimin e institucioneve ligjzbatuese për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të armëve, duke garantuar sigurinë dhe rendin publik në kryeqytet.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






