Transmetuar më 01-02-2026, 09:07

RADHIMË, 1 shkurt 2026 – Një rritje e papritur dhe e pazakontë e nivelit të detit është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në zonën bregdetare të Radhimës, në afërsi të qytetit të Vlorës, duke shkaktuar shqetësim te peshkatarët vendas dhe banorët e zonës.

Sipas dëshmive nga terreni, rreth orës 02:45, uji ka avancuar drejt tokës, duke depërtuar në disa zona pranë qendrës së peshkimit. Varkat e ankoruara janë vënë nën presion të madh, me litarët e tendosur ndjeshëm për shkak të ngritjes së menjëhershme të nivelit të detit, ndërsa në disa raste uji ka hyrë edhe në magazinat pranë portit të peshkimit, duke rrezikuar pajisjet dhe mjetet e punës.

Peshkatarët raportojnë se niveli i detit është rritur ndjeshëm mbi parametrat normalë të baticës, duke arritur afërsisht një metër ose më shumë, një vlerë dukshëm më e lartë se luhatjet e zakonshme prej 40–60 centimetra.

Një element tjetër i pazakontë ka qenë vëzhgimi i peshqve të dalë në tokë, një fenomen që zakonisht shoqërohet me det të trazuar ose me ndryshime të forta dhe të shpejta të nivelit të ujit.

Edhe peshkatarë të tjerë që ndodheshin në det në atë orë kanë pohuar se u përballën me kushte të pazakonta, duke theksuar se nuk kanë hasur më parë një rritje kaq të menjëhershme dhe intensive të nivelit të detit në këtë zonë.

Deri më tani, nuk ka një shpjegim zyrtar nga autoritetet për shkakun e këtij fenomeni, ndërsa pritet që specialistët e hidrometeorologjisë të analizojnë situatën për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një anomali natyrore, ndikim të kushteve atmosferike apo faktorë të tjerë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit