Transmetuar më 01-02-2026, 08:44

TIRANË – Tirana vijon të jetë porta kryesore hyrëse për vizitorët e huaj dhe vendas, por nuk kryeson më për përfitimet nga qiradhënia afatshkurtër. Të dhënat më të fundit nga AirDNA, njësia analitike e platformës Airbnb, tregojnë se zonat bregdetare, veçanërisht Vlora dhe Saranda, ofrojnë kthimin më të lartë financiar për pronarët.

Në një mozaik gjithnjë e më konkurrues destinacionesh turistike, qytete si Saranda, Ksamili, Vlora, Durrësi dhe Golemi kanë tejkaluar kryeqytetin për sa i përket çmimeve ditore dhe fitimit neto, ndërsa Tirana mbetet konkurruese kryesisht për volum net-qëndrimesh.

Dominimi i jugut bregdetar

Sipas AirDNA, nga 26.3 mijë njësi banimi të listuara për qira ditore në vitin 2025, rreth 39% ndodheshin në zonën Vlorë–Sarandë, me mbi 10.2 mijë apartamente. Këto dy qytete kanë gjeneruar 57 milionë euro të ardhura, ose rreth 43% të totalit kombëtar nga Airbnb.

Çmimi mesatar ditor gjatë sezonit veror arrin deri në 86 euro, ndërsa fitimi neto shkon në 55–60 euro/ditë në korrik dhe gusht. Mesatarja vjetore e fitimit për këtë zonë është 37.5 euro/ditë, me një kthim mujor rreth 1,125 euro.

Tirana: volum i lartë, fitim më i ulët

Tirana renditet e dyta për numrin e njësive (20% e totalit) dhe për net-qëndrime, me 1.25 milionë net-qëndrime të prenotuara në vitin 2025. Megjithatë, çmimet ditore mbeten më të ulëtat krahasuar me destinacionet kryesore turistike.

Çmimi mesatar për natë është 42.4 euro, ndërsa fitimi neto ditor rreth 25 euro. Norma mesatare e zënies ishte 59%, duke sjellë një kthim mujor prej rreth 750 eurosh. Shtimi i vazhdueshëm i ofertës ka kufizuar rritjen e çmimeve, edhe në muajt e pikut.

Një përjashtim relativ është Kashari, ku struktura e vilave private dhe kërkesa për evente kanë rritur përfitimet, me një fitim mesatar prej 32.7 euro/ditë dhe kthim mujor rreth 982 euro.

Durrësi dhe Golemi, alternativë solide

Zona e Durrësit dhe Golemit mbetet një treg i qëndrueshëm falë turizmit të organizuar. Në vitin 2025, të ardhurat arritën në 20.7 milionë euro në Durrës dhe 5.1 milionë euro në Golem. Fitimi mesatar ditor varion nga 33.6 deri në 34.2 euro, me kthim mujor mbi 1,000 euro gjatë sezonit.

Shkodra, “ylli” në rritje

Shkodra po konsolidohet si një destinacion alternativ në rritje. Numri i njësive me qira ditore është dyfishuar brenda dy vitesh, ndërsa të ardhurat në 2025 arritën në 5.2 milionë euro. Fitimi mesatar ditor është 25.8 euro, me kthim mujor rreth 773 euro, më i lartë se Tirana.

Qytetet me kthim më modest

Shëngjini: kthim mujor rreth 805 euro

Korça: mesatarisht 507 euro/muaj, me pike sezonale në dhjetor

Berati: kthimi më i ulët, rreth 446 euro/muaj

Elbasani: treg në zhvillim, me kthim mesatar 477 euro/muaj

Konkluzion

Të dhënat tregojnë qartë se fitimi maksimal nga qiradhënia ditore nuk gjendet në kryeqytet, por në zonat bregdetare me kërkesë të lartë sezonale. Ndërsa Tirana mbetet nyje kryesore për flukset turistike, Vlora dhe Saranda janë sot motorët kryesorë të përfitimeve financiare nga turizmi afatshkurtër në Shqipëri.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit