Transmetuar më 31-01-2026, 21:52

Një çift nga Florida ka ngritur padi ndaj një klinike fertiliteti, duke pretenduar se përmes fertilizimit “in vitro” u ka lindur një fëmijë që nuk është biologjikisht i lidhur me asnjërin prej tyre.

Sipas Daily Mail, Tiffany Scor dhe Steven Mills iu drejtuan klinikës “IVF Life” rreth pesë vite më parë për të realizuar ëndrrën për t’u bërë prindër. Procedura u krye në prill dhe nëntë muaj më vonë çifti solli në jetë një vajzë.

Dyshimet për një gabim nisën pas lindjes, pasi të dy prindërit janë të bardhë, ndërsa foshnja kishte pamje që nuk përputhej me etninë e tyre. Testet gjenetike konfirmuan më pas se fëmija nuk ishte biologjikisht i tyre.

Më 22 janar, çifti depozitoi padinë, duke deklaruar se kishin tentuar vazhdimisht të kontaktonin klinikën, por pa marrë përgjigje. Avokati i tyre, Jack Scarola, tha se ata janë të lidhur emocionalisht me vajzën dhe e duan atë, por shqetësohen se në çdo moment prindërit biologjikë mund të paraqiten dhe ta kërkojnë fëmijën.

Sipas padisë, ekziston dyshimi se një nga tre embrionet e tyre të ngrira mund të jetë implantuar gabimisht te një paciente tjetër. Çifti kërkon që klinika të njoftojë të gjithë pacientët që kishin embrione të ruajtura një vit para lindjes së vajzës, si dhe të mbulojë kostot e testimeve gjenetike për fëmijët e lindur përmes shërbimeve të saj gjatë pesë viteve të fundit.

Në deklarata publike, Scor dhe Mills kanë theksuar se e duan vajzën e tyre dhe shpresojnë ta rrisin atë me sigurinë se nuk do t’u merret, duke shtuar se ndjejnë edhe një “detyrim moral” për të gjetur dhe informuar prindërit biologjikë.

Ndërkohë, hetimet ndaj klinikës vijojnë, ndërsa gjykata ka urdhëruar paraqitjen e një plani të plotë për menaxhimin e çështjes, në një kontekst ku më herët janë konstatuar edhe shkelje serioze të standardeve të sigurisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit