Transmetuar më 31-01-2026, 21:07

Avokatja Enida Bozheku flet për nenin e ri (11) në draftin për Kodin Penal të Shqipërisë që flet për seksin jashtë vendit

Avokatja Enida Bozheku ka reaguar publikisht ndaj projekt-ndryshimeve të fundit në Kodin Penal të Shqipërisë, konkretisht për shtimin e nenit të ri 108/b, të parashikuar në nenin 11 të projektligjit, i cili lidhet me organizimin e udhëtimeve për qëllime seksuale.

Sipas përmbajtjes së nenit të ri, organizimi i udhëtimeve për persona të ndryshëm, pavarësisht shpërblimit apo jo, me qëllim kryerjen e veprave penale të parashikuara në legjislacionin penal, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet. Në rast se kjo veprimtari kryhet nga një person juridik, gjykata, përveç dënimeve të tjera, mund të vendosë edhe mbylljen e tij.

Bozheku shpreh shqetësimin se formulimi i nenit është i paqartë dhe lë hapësirë për interpretime të gjera, duke krijuar konfuzion mbi kufirin mes veprimtarive kriminale dhe udhëtimeve private të individëve apo grupeve shoqërore jashtë vendit. Ajo thekson se, në praktikë, neni synon parandalimin e veprave të rënda si shfrytëzimi seksual i të miturve, dhuna seksuale apo përfshirja në rrjete prostitucioni, por mënyra se si është hartuar mund të krijojë probleme serioze zbatimi.

Sipas avokates, mbetet e paqartë se si do të provohet qëllimi kriminal i një udhëtimi, sidomos në raste kur individë udhëtojnë në vende ku disa forma të aktivitetit seksual janë të ligjshme. Ajo ngre pikëpyetje edhe mbi mekanizmat e kontrollit dhe provës, duke theksuar rrezikun e cenimit të lirive personale dhe keqinterpretimit të ligjit.

Teksti i plotë:

Sipas këtij neni “anti-seks” të shtuar në Kodin Penal, që të dënon nga dy deri në gjashtë vjet burg, grupi shoqëror që mblidhet për qejf dhe shkon në Tajlandë, po bëri “lluk-lluk” andej, kur kthehet në atdhe e tredhin.

Sipas këtij neni, nuk di çfarë lloj oligofreni e ka formuluar, kur mblidhesh grup shoqnie dhe shkon kund, mbase edhe për seks, qëllimi kriminal i këtij grupi është që të bëjë rrobashqepsin me të mitur, të rritur me dhunë apo duke shfrytëzuar prostitucionin, ku në Holandë, p.sh., është i legalizuar.

Po vetë a kanë qenë ndopak jashtë kufijve kur organizohen këta të rilindurit, apo e ngjyjnë biskotën vetëm nëpër grupe brenda kufijve?! Provën si e ndërtojnë, apo i vënë gjinekolog e androlog në doganë, kujt hyn e del që ka lëvizur në grup?! Apo breçka hekuri për të gjithë? Po çelësin kush do ta mbajë?

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit