Transmetuar më 31-01-2026, 21:49

Janë publikuar detaje të reja mbi testamentin e financierit amerikan Jeffrey Epstein, i cili u nënshkrua vetëm dy ditë para se ai të gjendej i vdekur në qelinë e tij në burgun e Manhattanit, në gusht të vitit 2019.

Sipas dokumenteve të bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe të cituara nga media ndërkombëtare, përfshirë “ABC News”, Epstein kishte planifikuar që pasuria e tij t’u shpërndahej një sërë miqsh, të afërmsh, punonjësish dhe bashkëpunëtorësh të ngushtë.

Testamenti mban datën 8 gusht 2019, ndërsa tetë ditë pas vdekjes së Epstein, dokumenti u nënshkrua edhe nga avokati i tij, Darren Indyke, si dhe nga kontabilisti Richard Kahn, të cilët ishin caktuar si bashkë-ekzekutivë të testamentit.

Megjithatë, në vend që pasuria të shpërndahej sipas testamentit, ajo u transferua në një fond besimi dhe është përdorur për kompensimin e viktimave, si dhe për shlyerjen e taksave dhe kostove ligjore. Sipas të dhënave më të fundit, nga pasuria fillestare kanë mbetur rreth 127 milionë dollarë.

Pasuri të paluajtshme dhe shuma të mëdha parash

Partneres së tij të fundit të njohur, Karina Suljak, Epstein kishte planifikuar t’i linte 42,194,100 dollarë, si dhe disa nga pronat më të rëndësishme që zotëronte, përfshirë ishullin Little St. James, Great St. James, një fermë në New Mexico, rezidencën në Palm Beach dhe banesën luksoze në Upper East Side të Manhattanit.

Gjithashtu, Suljak do të përfitonte apartamentin e Epstein në Paris, pranë Arc de Triomphe, si dhe koleksionin e tij të diamanteve, përfshirë një unazë diamanti prej 32.73 karatësh, e përshkruar në dokument me shënime të shkruara me dorë, e cila sipas Epstein ishte dhënë “në pritje të martesës”.

Sipas “Daily Mail”, Suljak, me origjinë nga Bjellorusia, dyshohet se ka pasur një lidhje me Epstein për një periudhë prej tetë deri në dhjetë vitesh.

Avokati Darren Indyke dhe kontabilisti Richard Kahn, përveç rolit si bashkë-ekzekutivë të testamentit, do të përfitonin respektivisht 42,194,100 dhe 21,097,050 dollarë.

Ndërkohë, bashkëpunëtorja e tij e ngushtë, Ghislaine Maxwell, e cila aktualisht po vuan një dënim me 20 vite burg, ishte përfituese e një shume prej 8,438,820 dollarësh.

Vëllai i Epstein, Mark Epstein, si dhe piloti i tij, Larry Wysocki, do të merrnin secili nga 8,438,820 dollarë, ndërsa disa përfitues të tjerë përmenden në dokument pa u identifikuar me emra, duke u referuar thjesht si “ata”.

Miliona dollarë të tjerë ishin parashikuar të shpërndaheshin edhe për punonjës të ndryshëm, sipas marrëveshjeve të brendshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit