

Një ngjarje e rëndë dhune është shënuar në Durrës, ku një çift është sulmuar me grushta brenda automjetit të tyre nga disa persona. Gruaja e dhunuar ka rrëfyer se familja e saj ndihet e frikësuar dhe e pambrojtur, pasi autorët e dyshuar vijojnë të jenë ende të lirë.
Sipas dëshmisë së saj, i pari që është goditur ka qenë 55-vjeçari Fatmir Meçani, i cili ka pësuar dëmtime dhe ka pasur nevojë për ndihmë mjekësore. Ajo shprehet se kjo nuk është hera e parë që familja Meçani përballet me dhunë nga të njëjtët persona, të cilët, sipas saj, kanë ushtruar agresion edhe ndaj familjeve të tjera në të njëjtën zonë.
“Kemi frikë të dalim nga shtëpia se mos na rrahin sërish. Nuk kam dalë as për të blerë bukë për fëmijët,” – shprehet gruaja e dhunuar.
Ajo tregon gjithashtu se teksa Fatmir Meçani po shoqërohej drejt spitalit nga vëllai i tij, Lulzim Meçani, bashkëshortja dhe kunata, automjeti i tyre është sulmuar sërish nga të njëjtët persona që më herët kishin ushtruar dhunë ndaj tij.
Familja kërkon ndërhyrjen e menjëhershme të autoriteteve për garantimin e sigurisë dhe vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të kësaj ngjarjeje.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






