Transmetuar më 31-01-2026, 17:37

Në Indi është shfaqur një vatër infektive me virusin Nipah dhe disa pjesë të Azisë janë shqetësuar për faktin se ky virus është vdekjeprurës dhe nuk ka antidot apo vaksinë. Janë konfirmuar katër persona të infektuar në Bengalin perendimor ku dy kanë vdekur, ndërkohë që 675 persona të tjerë janë aktualisht të nën karantinë.

Shefja e kontrollit të sëmundjeve infektive në ISHP,  Prof., Dr., Silva Bino thotë se lajmi i mirë është konstatimi se ky virus nuk përhapet në rrugë ajrore: "Nuk është një virus që qëndron për një kohë të gjatë në ajër, sikurse është virusi i Fruthit, Covid apo gripi.”

Megjithatë ka tre mënyra të tjera që ndodh kjo dhe për të bërë kujdes duhet të dini cilat janë:

Kontaktet e ngushta mes njerëzve

Ushqimet e kontaminuara

Kafshët e infektuara, kryesisht lakuriqët e natës:

Lakuriqët e natës të familjes Pteropodidae, të kudondodhur në Oqeani, Azinë Jugore dhe Juglindore, si dhe Afrikën Subsahariane, janë rezervuarë natyrorë të virusit, që do të thotë se virusi jeton dhe riprodhohet natyrshëm tek këta gjitarë pa u shkaktuar atyre ndonjë dëm.

Përhapja e virusit te njerëzit mund të ndodhë drejtpërdrejt ose nëpërmjet pritësve të ndërmjetëm si derrat ose kuajt, të cilët vijnë në kontakt me njerëzit.

Por cilat konsiderohen kontakte të ngushta? Janë padyshim aktet intime, përfshirë puthjet që marrin ose japin spërkla.

Virusi Nipah e ka vdekshmërinë nga 40 deri në 75 për qind. Ai nuk ka as trajtim specifik dhe as vaksinë. Duke qenë se është rrezikshmërisht vdekjeprurës, Organizata Botërore e Shëndetësisë po monitoron situatën.

Por kur diskutimi përfshin Evropën, dr. Bino ka një sqarim: “Rreziku i futjes dhe përhapjes së këtij virusi në vendin tonë është tepër minimal. Është minimal sepse qarkullimi i tij në Bengalin Perëndimor është i pakët. Numri i udhëtarëve që shkojnë në këtë vend është minimal. Ekosistemi ynë, ai evropian, nuk përbën rrezik për transmetimin e këtij virusi".

Cilat janë shenjat

Sëmundja që shkakton virusi nuk ka shenja specifike dhe për rrejdhojë është e vështirë të diagnostikohet pa teste laboratorike.

Megjithatë disa shenja të dukshme janë:

Temperaturë

Dhimbje koke

Dhimbje trupi/muskulare

Dhimbje fyti

Marramendje

Të vjella.

Ky virus, kalon dhe në shenja të tjera të rënda që janë ato respiratore, pra të rrugëve të frymëmarrjes që arrijnë deri në inflamacion të trurit (encefaliti fatal) dhe në insuficiencë akute respiratore.

Prezantimi klinik i infeksionit NiV është neurologjik, duke prekur sistemin nervor qendror dhe duke rezultuar në sindromën e encefalitit akut (AES), të karakterizuar nga kriza, konfuzion dhe humbje të vetëdijes. Kur sëmundja përparon, ajo mund të shkaktojë dëmtime në mushkëri dhe mund të çojë në sindromën e shqetësimit akut respirator (ARDS) që kërcënon jetën. Periudha e inkubacionit të virusit besohet të jetë katër deri në 14 ditë.

Çfarë duhet të dini për origjinën e virusit

Infeksioni i parë njerëzor me NiV u regjistrua në vitin 1998, kur fermerët e derrave dhe kasapët nga Malajzia dhe Singapori e morën virusin nga derrat e infektuar. Shpërthimi preku më shumë se 250 individë dhe shkaktoi më shumë se 100 vdekje.

Që nga viti 2001, në Bangladesh ka pasur shpërthime të mëvonshme, pothuajse vjetore, me infeksionin tek njerëzit që mund të gjurmohet në konsumimin e lëngut të palmës së hurmës të kontaminuar me urinë ose pështymë nga lakuriqët e frutave të infektuar.

Në vitin 2014, infeksionet e NiV në Filipine u shoqëruan me therjen e kuajve dhe konsumimin e mishit të kalit të infektuar.

India ka raportuar dy shpërthime në Bengalin Perëndimor në vitet 2001 dhe 2007. Në vitin 2018, India Jugore raportoi shpërthimin e parë të NiV në Kerala, kur 19 raste të konfirmuara çuan në 17 vdekje. Që atëherë, Kerala ka raportuar përhapje të NiV pothuajse çdo vit.

Më 12 korrik 2025, një infeksion i ri vdekjeprurës me virusin Nipah u konfirmua te një burrë 52-vjeçar në distriktin Palakkad të Kerala-s në Indi.

Ky person shënoi rastin e dhjetë të përhapjes së virusit Nipah (transmetimit të patogjenit nga kafshët te njerëzit) në shtetin jugor indian që nga viti 2018.

Vetëm këtë vit, Kerala ka raportuar katër raste të Nipah, përfshirë dy vdekje, të gjitha brenda një rrezeje prej 50 km, në kufirin e distrikteve Malappuram dhe Palakkad.

Shteti mbetet në gatishmëri të lartë, me 675 persona nën mbikëqyrje në pesë rrethe.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit