

Tiranë – Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) ka miratuar kërkesën e kreut të SPAK, Klodian Braho, për shtimin e masave të mbrojtjes për prokurorin Altin Dumani.
Burime bëjnë me dije se kërkesa është paraqitur për shkak të presioneve të vazhdueshme ndaj Dumanit, të lidhura me hetime të shumta të ndjeshme, përfshirë çështje që kanë të bëjnë me ish-drejtues dhe zyrtarë të lartë.
Për shkak të funksionit që mbante, Altin Dumani ka qenë nën ruajtje të rreptë gjatë gjithë mandatit të tij trevjeçar si drejtues i Prokurorisë së Posaçme. Masat e sigurisë vijojnë edhe pas përfundimit të mandatit, ndërkohë që ai ushtron aktualisht detyrën si drejtues i drejtorisë juridiksionale, përfshirë edhe angazhime jashtë vendit.
Aktualisht, për shkak të detyrave dhe çështjeve që kanë nën hetim, nën masa mbrojtjeje ndodhen edhe drejtues të tjerë të sistemit të drejtësisë, mes tyre kreu i SPAK Klodian Braho, kryetari i Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Erjon Bani, si dhe gjyqtarë e prokurorë të posaçëm.
Në listë përfshihen edhe gjyqtarja Irena Gjoka, prokurorët Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi, Dritan Prenci, Vladimir Mara, si dhe zyrtarë të tjerë të drejtësisë.
Së fundmi, KLP ka miratuar gjithashtu masa mbrojtjeje për prokurorin Ridvan Suka, i cili është transferuar në Tiranë, si edhe për drejtuesin e Prokurorisë Kreshnik Ajazi dhe zëvendësin e tij.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






