Transmetuar më 31-01-2026, 13:44

Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë më 26 mars në Varshavë ndaj Polonisë, në ndeshjen gjysmëfinale të “play-off”-it për Kupën e Botës, turne që këtë verë do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë. Sfida konsiderohet një nga më të vështirat për kuqezinjtë në rrugën drejt kualifikimit historik.

Në prag të kësaj përballjeje, trajneri i Polonisë, Jan Urban, ka folur për mediat vendase, duke theksuar se Shqipëria është një rival i fortë dhe i rrezikshëm, që nuk duhet nënvlerësuar. Në një intervistë për “TVP Sport”, Urban kujtoi përballjet e fundit mes dy skuadrave, ku Shqipëria ka arritur t’u shkaktojë vështirësi polakëve.

“E njohim shumë mirë Shqipërinë. Jemi përballur me ta në eliminatoret e EURO 2024 dhe të Botërorit 2022. Është kundërshtari më i rëndësishëm, sepse ndaj tyre luajmë ndeshjen e parë. Kanë një ekip të organizuar, të disiplinuar dhe me lojtarë teknikisht të përgatitur. Pësojnë pak gola, por edhe shënojnë pak. Janë futbollistë solidë dhe jo rastësisht na krijuan probleme, madje na mundën 2-0 në Tiranë”, u shpreh Urban.

Trajneri polak foli edhe për rivalët e mundshëm në finalen e “play-off”-it, Suedinë dhe Ukrainën, duke theksuar se ende është e vështirë të thuhet se cila skuadër do të ishte më e favorshme për t’u përballur.

“Sipas rezultateve në eliminatore, Suedia dukej më e dobët, por ka lojtarë shumë cilësorë që aktivizohen në klube të mëdha europiane. Me ndryshimin e trajnerit dhe ardhjen e Graham Potter, ata mund të rikthehen në nivel në çdo moment. Ndërsa Ukraina është në një nivel të ngjashëm me Poloninë, Suedinë dhe Shqipërinë”, tha Urban.

Në përfundim, ai theksoi se “play-off”-et vendosen nga detajet dhe forma e momentit, duke nënvizuar se situata e ekipeve mund të ndryshojë ndjeshëm deri në ditën e ndeshjeve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit