

VLORË- Tregtarët e Vlorës kanë dalë sërish sot në protestë para Teatrit “Petro Marko”, duke kundërshtuar vendimin e Këshillit Bashkiak për zhvendosjen e tyre nga zonat aktuale të tregtimit. Sipas vendimit të miratuar, tregtarët e fruta-perimeve do të zhvendosen në tregun e Çoles, ndërsa tregtarët industrialë në tregun e Shumicës në Jalli të Nartës.
Tregtarët kanë deklaruar se ky vendim është marrë pa asnjë konsultim real me ta dhe pa u ofruar garanci për kushtet minimale të punës. Gjithashtu protestuesit shprehen se zhvendosja në këto zona i largon nga qendra e qytetit dhe nga klientët e tyre, duke rrezikuar seriozisht mbijetesën ekonomike të dhjetëra familjeve.
Sakaq, qytetarët kanë deklaruar se tregjet e reja nuk janë funksionale, nuk kanë infrastrukturë të përshtatshme dhe nuk ofrojnë siguri për vijimin normal të aktivitetit tregtar.
“Vendimet po merren nga zyra, pa u pyetur ata që preken drejtpërdrejt. Ne nuk jemi kundër rregullit, por kundër një vendimi që na shkatërron punën”, shprehen tregtarët
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






