Transmetuar më 31-01-2026, 11:26

TIRANË – Prokuroria e Tiranës ka ndërmarrë veprime për sekuestrimin e pasurive të familjarëve të një shtetasi shqiptar të dënuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për vepra penale të lidhura me terrorizmin.

Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për familjen e Sajmir Alimehmetit, i cili po vuan një dënim prej 22 vitesh burg në SHBA. Hetimet pasurore kanë zbuluar se prindërit e tij disponojnë shuma të konsiderueshme parash në banka shqiptare, të cilat, sipas prokurorisë, nuk përputhen me të ardhurat e ligjshme të deklaruara ndër vite.

Familjarët kanë pretenduar se fondet janë krijuar nga qiratë dhe kursimet, por nuk kanë paraqitur dokumentacion bindës për të provuar burimin e tyre. Për pasojë, organi i akuzës vlerëson se këto pasuri nuk kanë prejardhje të ligjshme dhe nuk justifikohen financiarisht.

Paralelisht, Alimehmeti, i njohur edhe me inicialet A.Q., po hetohet në Shqipëri për veprën penale të pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale, ndërsa procedimi pasuror është regjistruar në vitin 2025 mbi bazën e të dhënave të siguruara nga strukturat e hetimit të krimit ekonomik.

Në total, bëhet fjalë për rreth 210 mijë euro në llogari bankare në lekë, euro dhe dollarë amerikanë, për të cilat Prokuroria ka kërkuar konfiskimin dhe kalimin në pronësi të shtetit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit