

Operacion “Brand 3” në Tiranë: tre persona ndalohen, zbulohet skemë tregtare informale me veshje të markave të njohura
Një operacion i gjerë i Policisë së Shtetit ka çuar në zbulimin e një skeme të organizuar tregtare informale që përfshinte futjen dhe shitjen e veshjeve të markave të njohura, duke shmangur detyrimet tatimore.
Operacioni, i koduar “Brand 3”, u finalizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DPPSh, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale.
Sipas njoftimit zyrtar, u identifikuan 7 shtetas që vepronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke futur veshje nga Kina dhe Turqia, t’i magazinonin në Tiranë dhe më pas t’i tregtonin në mënyrë informale.
Gjatë operacionit u ndaluan në flagrancë shtetasit Sofokli Bushi, 69 vjeç, Bilbil Llangozi, 72 vjeç dhe Ali Bushati, 57 vjeç.
Ndërkohë, nisi procedimi penal për shtetasit R. Ll., 45 vjeç, I. B., 39 vjeç, E. B., 23 vjeç dhe Z. M., 65 vjeç.
Gjatë veprimeve operative, këta shtetas u kapën teksa transportonin mallrat me dy automjete. Si prova materiale u sekuestruan 17 valixhe me veshmbathje të markave të shtrenjta, të dyshuara si mallra të futura në mënyrë të paligjshme, si dhe dy automjete.
Këto aksione që po shpeshtohen, vijnë pas sinjalizimeve të vazhdueshme që mbërrijnë në polici duke e nxitur atë të veprojë për të shkatërruar bizneset që shesin mallra firmato me çmime të lira, por jashtë dyqaneve të tipit firmato.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale që lidhen me shkeljen e të drejtës së pronësisë industriale, kontrabandën me mallra të tjera, tregtimin dhe transportimin e mallrave të kontrabanduara, mospagimin e taksave dhe fshehjen e të ardhurave.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






