

PRISHTINË – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është përmbyllur procesi i rinumërimit të fletëvotimeve në gjithsej 2,557 vendvotime, ku më 28 dhjetor 2025 ishte zhvilluar procesi i votimit.
Sipas vendimit fillestar të KQZ-së, të datës 13 janar 2026, ishte paraparë rinumërimi i 100 për qind të vendvotimeve në 10 komuna: Dragash, Kaçanik, Leposaviq, Prizren, Skënderaj, Shtime, Ferizaj, Vushtrri, Mamushë dhe Ranillug. Ndërkohë, në 28 komunat e tjera ishte planifikuar rinumërimi i 10 për qind të vendvotimeve, përfshirë komunat Deçan, Gjakovë, Gllogoc, Gjilan, Istog, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Lipjan, Novobërdë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Podujevë, Prishtinë, Shtërpcë, Suharekë, Viti, Zubin Potok, Zveçan, Malishevë, Junik, Hani i Elezit, Graçanicë, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut.
Me një vendim të dytë, të marrë më 19 janar 2026, KQZ vendosi që në procesin e rinumërimit të përfshihen edhe vendvotime shtesë në këto komuna, duke zgjeruar kështu verifikimin e materialeve zgjedhore.
Sipas KQZ-së, vendimet për rinumërim janë marrë me qëllim të garantimit të saktësisë dhe integritetit të rezultateve zgjedhore, si dhe për të siguruar që vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës të reflektohet në mënyrë të drejtë dhe të saktë në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






