Transmetuar më 30-01-2026, 23:01

Albert Matraxhiu, 29 vjeç, akuzojet se goditi me makinë kirurgun dentist në pension Thomas Wallace më 29 dhjetor, në Gads Hill pranë Gillingham, Kent. I riu shqiptar ka pranuar se ka shkaktuar vdekjen nga drejtimi i pakujdesshëm, por ka mohuar akuzën më serioze të shkaktimit të vdekjes nga drejtimi i rrezikshëm

Dy shtetas shqiptarë janë paraqitur sot para Gjykatës së Kurorës në Maidstone, lidhur me vdekjen e kirurgut dentar 63-vjeçar Tom Wallace, i cili humbi jetën pasi u përplas nga një automjet që lëvizte me shpejtësi të lartë.

I pandehuri kryesor, Albert Matraxhiu, 29 vjeç, mohoi akuzën për shkaktim vdekjeje përmes drejtimit të rrezikshëm të mjetit. Seanca u zhvillua sot, ndërsa gjykatësi Julian Smith vendosi shtyrjen e procesit për në datën 13 korrik, kur çështja do të shqyrtohet në themel.

Ndërkohë, Matraxhiu pranoi akuzën për drejtim të pakujdesshëm të automjetit, njësoj si bashkëpandehuri i tij, Erald Paci, 29 vjeç, i cili gjithashtu u deklarua fajtor për të njëjtën vepër penale.

Matraxhiu do të dalë në gjyq për shkaktim vdekjeje nga drejtimi i rrezikshëm i mjetit më 13 korrik.

Ai akuzohet gjithashtu për drejtim mjeti pa siguracion, drejtim mjeti ndryshe nga ai që kërkohet me leje drejtimi, mosndalim pas një aksidenti dhe mosraportim të një aksidenti.

Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë dhe raportimeve të mediave britanike, pas përplasjes fatale, dy të pandehurit braktisën automjetin, hoqën targat e makinës dhe u larguan nga vendngjarja, në një përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë ligjore.

Gjykatësi Smith u shpreh ashpër ndaj veprimeve të tyre, duke theksuar se:

“Ju të dy bëtë gjithçka për t’i shpëtuar përgjegjësisë. Vendosët të pengoni dhe të dëmtoni hetimet, dhe kjo do të merret seriozisht parasysh gjatë ndëshkimit.”

Të dy të pandehurit janë lënë në paraburgim deri në përfundim të gjyqit.

Viktima

Tom Wallace, kirurg dentar dhe baba i tre fëmijëve, kishte punuar gjatë gjithë jetës së tij profesionale në zonën e Medway Towns. Ai u përplas nga një automjet tip Mercedes pranë kryqëzimit të Gads Hill me Waterside Lane, rreth orës 12:10 të mesditës së 29 dhjetorit, në Gillingham.

Një postier dhe një banor i zonës ndërhynë menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa një ekip ambulance mbërriti pak minuta më vonë. Pavarësisht përpjekjeve, Wallace u shpall i vdekur në vendngjarje.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit