Transmetuar më 30-01-2026, 22:44

Zvicerani përplas për vdekje shqiptarin e Kosovës në vendkalim, merr gjobë disa qindra franga; avokati: dënim shumë i butë, “shuplakë e dytë në fytyrë”

Një aksident fatal i ndodhur në nëntor 2023 në Horgen, kantoni i Cyriht, ka rikthyer sot debatin mbi dënimet për shkeljet e rënda në trafik. Një shtetas zviceran, 53 vjeç, ka përplasur për vdekje një këmbësor 83-vjeçar me origjinë nga Kosova, teksa ky i fundit po kalonte në një vendkalim për këmbësorë.

Sipas raportimit të medias zvicerane Tages-Anzeiger, Gjykata e Qarkut Horgen e ka shpallur shoferin fajtor për vrasje nga pakujdesia. Hetimet treguan se në momentin e aksidentit, shoferi ishte duke përdorur telefonin celular.

Policia kantonale analizoi të dhënat e telefonit, të cilat tregojnë se në orën 11:50 shoferi kishte dërguar një mesazh, 14 sekonda më pas kishte bërë një pamje të ekranit, ndërsa 17 sekonda më vonë, menjëherë pas aksidentit, kishte telefonuar policinë. I moshuari nuk i mbijetoi plagëve të marra.

Sipas vendimit të gjykatës, i pandehuri u dënua me një gjobë me kusht prej 30 ditësh me nga 180 franga secila, me periudhë prove dyvjeçare, si dhe me një gjobë shtesë prej 800 frangash zvicerane. Në sallën e gjyqit, ai i kërkoi falje familjes së viktimës, duke thënë se “një pjesë e tij kishte vdekur gjithashtu” pas ngjarjes.

Vendimi ka ngjallur reagime të forta. Avokati i familjes së viktimës, Martin Hablützel, e cilësoi dënimin jashtëzakonisht të butë. Sipas tij, për familjen e të ndjerit, një vendim i tillë përbën “një shuplakë të dytë në fytyrë”. Ai theksoi se përdorimi i celularit gjatë drejtimit të mjetit është i ndaluar dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm, duke shtuar se një dënim i tillë nuk ka asnjë efekt parandalues.

Rasti është raportuar edhe nga media në gjuhën shqipe në Zvicër, duke rikthyer vëmendjen te pasojat fatale të shpërqendrimit në timon dhe te nevoja për dënime më të ashpra në raste të tilla.

Analiza e gazetës Tages Anzeiger

Shoferi përplas për vdekje një pensionist – a janë 1000 franga gjobë të drejta për një jetë njerëzore?

Ai po shkruante një SMS gjatë drejtimit të makinës dhe nuk e pa një këmbësor në vendkalimin për këmbësorë në Horgen. Tani, i akuzuari është dënuar me një dënim financiar me kusht dhe me një gjobë. Vendimi ka shkaktuar reagime dhe pakënaqësi.

83-vjeçari ndodhej në mes të vendkalimit për këmbësorë kur jeta e tij u ndërpre papritur. I moshuari po kalonte rrugën Einsiedlerstrasse në Horgen, rreth mesditës në nëntor 2023, kur një shofer e pa vonë dhe e goditi me makinë. Siç u zbulua më vonë, shoferi ishte i shpërqendruar: pak çaste para përplasjes kishte përdorur telefonin celular.

Ky nuk është një rast i izoluar. “Mosvëmendja dhe shpërqendrimi janë kthyer vitet e fundit në shkakun numër një të aksidenteve në rrugët zvicerane dhe sot janë përgjegjëse për rreth 30 për qind të aksidenteve të rënda”, thotë Mike Egle nga Fondacioni Roadcross Zvicër, i cili merret me parandalimin dhe menaxhimin e aksidenteve.

Statistikat nuk e regjistrojnë veçmas sa shpesh telefonat celularë janë të përfshirë në aksidente, por sipas Egle, “telefonat inteligjentë kanë fituar një rëndësi të madhe në jetën e përditshme, janë gjithmonë të pranishëm dhe për këtë arsye konsiderohen nga ekspertët si burimi kryesor i shpërqendrimit në trafik – diçka që mund të vërehet çdo ditë në rrugë”.

Familjarët: moskuptim për dënimin e lehtë

Një vit e gjysmë pas aksidentit në Horgen, Prokuroria e ka dënuar shoferin, një shtetas zviceran sot 53-vjeçar, me urdhër ndëshkimi për vrasje nga pakujdesia. Me këtë procedurë, rastet penale zgjidhen pa gjykim të plotë në gjykatë, një praktikë që përdoret shpesh nga drejtësia. I pandehuri u dënua me një dënim financiar me kusht prej 180 ditësh nga 30 franga secila, me periudhë prove dyvjeçare, si dhe me një gjobë prej 1000 frangash. Përveç kësaj, ai duhet të përballojë edhe shpenzimet e procedurës, që kapin disa mijëra franga.

Për familjen e viktimës, ky dënim është fyes. “1000 franga për një jetë njerëzore?” – pyesin ata. Familjarët e kundërshtuan urdhrin e ndëshkimit, edhe sepse, sipas tyre, procedura kishte zgjatur shumë dhe ata nuk kishin më besim te Prokuroria, duke kërkuar një vendim nga gjykata.

Eksperti: “Për familjen, një goditje e dytë në fytyrë”

Martin Hablützel, specialist i dëmeve dhe përfaqësues i shpeshtë i viktimave në gjykatë, thotë se edhe pse nuk i njeh të gjitha detajet e rastit, e konsideron “tronditëse” dhe “problematike nga pikëpamja e shtetit ligjor” që raste të tilla të zgjidhen me urdhër ndëshkimi. Kjo sepse me këtë procedurë mund të shqiptohen maksimumi gjashtë muaj burg, ndërkohë që për vrasje nga pakujdesia ligji parashikon dënime deri në tre vjet. “Vdekjet dhe dëmtimet e rënda trupore duhet të gjykohen nga një gjykatë”, thekson ai.

Sipas Hablützel, edhe masa e dënimit është shumë e lehtë. “Për familjen e viktimës, kjo është një shuplakë e dytë në fytyrë”. Ai shton se nuk bëhet fjalë për një shkelje të lehtë, pasi të gjithë e dinë se shkrimi i mesazheve gjatë drejtimit të makinës është i ndaluar dhe jashtëzakonisht i rrezikshëm. Një dënim i tillë, sipas tij, nuk ka efekt parandalues.

Megjithatë, ai thekson se detajet janë vendimtare për përcaktimin e dënimit. Në këtë rast bëhet fjalë për sekonda: ka rëndësi nëse provohet se shoferi po shkruante mesazhin pikërisht para aksidentit apo nëse e kishte lënë telefonin disa sekonda më herët.

I pandehuri: “Edhe brenda meje ka vdekur një pjesë”

Analiza e telefonit nga Policia Kantonale tregon se i pandehuri shkroi një SMS në orën 11:50 gjatë drejtimit të makinës. Katërmbëdhjetë sekonda më vonë ai bëri një pamje ekrani të mesazhit dhe 17 sekonda pas kësaj telefonoi policinë, pasi kishte përplasur të moshuarin.

Në Gjykatën e Qarkut Horgen, ku rasti u shqyrtua këtë javë, i pandehuri tha se nuk i mbante mend këto detaje, por pranoi fajësinë për vrasje nga pakujdesia. Ai mohoi vetëm pretendimin se automjeti i tij nuk ishte teknikisht i sigurt, siç kishte konstatuar Prokuroria. Ndër të tjera, në kofanon e makinës kishte vendosur një pllakë metalike si mbajtëse mjetesh pune.

Ngjarja e ka ndjekur rëndë të pandehurin. “Prej dy vitesh po e analizoj dhe nuk gjej shpjegim”, tha ai, duke shtuar se është në pushim mjekësor dhe nuk punon më. Ai kërkoi falje familjes së viktimës, duke thënë: “Nuk kam fjalë. Edhe brenda meje ka vdekur një pjesë”.

Familja e të ndjerit nga Kosova, e pranishme në sallë në numër të madh, e cilësoi kërkimfaljen shumë të vonuar. “Për ne kjo është shumë e dhimbshme dhe e vështirë për t’u kuptuar”, shkruan ata në një letër drejtuar gjyqtares. Familja, pa përfaqësim ligjor dhe pa njohuri juridike, mendon se dënimi duhej të ishte shumë më i ashpër dhe se nuk bëhej fjalë për pakujdesi, por për vrasje me dashje.

Gjyqtarja: nuk ka bazë për ashpërsim të dënimit

Avokati mbrojtës i shoferit i hodhi poshtë këto pretendime, duke sqaruar se familja, si palë private, mund të kundërshtojë urdhrin e ndëshkimit vetëm për kërkesa civile, si dëmshpërblimi, por jo për veprën penale apo masën e dënimit.

Këtë e konfirmoi edhe gjyqtarja në shpalljen e vendimit. Ajo theksoi se nuk kishte asnjë provë për veprim të qëllimshëm dhe se i pandehuri kishte vepruar nga pakujdesia. Gjykata uli vetëm gjobën nga 1000 në 800 franga, pasi e shpalli të pafajshëm në një pikë dytësore lidhur me gjendjen teknike të automjetit. Sipas gjykatares, parimi i drejtësisë nuk lejonte ashpërsimin e dënimit, pasi masa e dënimit ishte kundërshtuar vetëm nga familja e viktimës, e cila ligjërisht nuk ka të drejtë ta bëjë këtë.

Fondacioni Roadcross: sjelljet e rrezikshme nuk duhen minimizuar

Pas seancës, familja u shpreh e zhgënjyer. Mike Egle nga Fondacioni Roadcross thotë se kjo është e kuptueshme. “Shpesh përjetojmë se dënimi ligjor nuk përputhet me ndjenjën personale të drejtësisë së viktimave dhe familjarëve”, shprehet ai.

Kur një dënim perceptohet si shumë i lehtë, lind ndjesia se jeta e humbur nuk është vlerësuar sa duhet. Në të kundërt, një vendim që shihet si i drejtë mund t’i ndihmojë të prekurit ta përpunojnë ngjarjen dhe të ecin përpara. Roadcross thekson rëndësinë e efektit parandalues të dënimeve: “Nëse njerëzit e dinë se shkeljet ndëshkohen realisht dhe ndjeshëm, ata heqin dorë më lehtë nga sjelljet e rrezikshme. Prandaj, këto veprime në trafik nuk duhet të banalizohen me dënime të buta.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit