Transmetuar më 30-01-2026, 22:26

Departamenti i Drejtësisë i Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka publikuar një sasi masive dokumentesh hetimore që lidhen me financierin e ndjerë dhe të dënuarin për krime seksuale, Jeffrey Epstein. Publikimi përfshin më shumë se 3 milionë faqe dokumente, mbi 2 mijë video dhe rreth 180 mijë imazhe.

Lajmi u bë i ditur gjatë një konference për shtyp nga zëvendësprokurori i përgjithshëm amerikan, Todd Blanche, i cili tha se ky publikim përmbush kërkesat ligjore të parashikuara nga “Epstein Files Transparency Act”, një ligj i miratuar nga Kongresi vitin e kaluar.

Sipas Blanche, procesi i identifikimit dhe shqyrtimit të dokumenteve ka qenë i gjatë dhe i detajuar, me qëllim garantimin e transparencës për publikun amerikan dhe respektimin e plotë të ligjit. Ai sqaroi se janë mbajtur të fshehta vetëm materialet që mund të dëmtonin hetime ende në vazhdim ose të ekspozonin viktimat e abuzimeve seksuale.

Megjithatë, administrata e presidentit Donald Trump është përballur me kritika lidhur me ritmin e publikimit të dokumenteve dhe redaktimet e shumta brenda tyre. Vetë Trump ka qenë objekt pyetjesh për marrëdhënien e tij të mëparshme me Epstein, i cili kishte ndërtuar një rrjet të gjerë kontaktesh me figura të fuqishme politike dhe ekonomike.

Blanche hodhi poshtë pretendimet se Departamenti i Drejtësisë po përpiqet të mbrojë persona me ndikim, përfshirë Trumpin, duke theksuar se nuk ekziston asnjë informacion i fshehur apo ndonjë vendim për të mos ndjekur penalisht individë të caktuar. Trump ka pranuar një miqësi të gjatë me Epstein në të kaluarën, por ka mohuar çdo dijeni për rrjetin e trafikut seksual të të miturve që prokurorët thonë se ai drejtonte.

Publikimi aktual vjen pasi Departamenti i Drejtësisë kishte humbur afatin e 19 dhjetorit të vendosur nga Kongresi për nxjerrjen e plotë të dokumenteve. Ligji për transparencën e dosjeve Epstein u miratua në nëntor me mbështetje dypartiake dhe synon publikimin e të gjitha dokumenteve federale që lidhen me këtë çështje.

Autoritetet sqaruan se qindra juristë janë angazhuar për të shqyrtuar materialet dhe për të vendosur se cilat pjesë duhet të redaktohen. Sipas Blanche, në pamjet video dhe imazhet e publikuara, identitetet e të gjitha grave përveç Ghislaine Maxwell janë fshehur. Maxwell, ish-partnerja e Epstein, u dënua në vitin 2021 me 20 vite burg për trafikim seksual të të miturve, ndonëse ajo vazhdon të mohojë fajësinë.

Në publikimet e mëparshme, disa viktima të Epstein kanë kritikuar redaktimet si të tepruara, duke theksuar se edhe dokumente të publikuara më herët ishin mbajtur të fshehta. Një pjesë e dokumenteve të dhjetorit përfshinte regjistra fluturimesh që tregonin se Trump kishte udhëtuar me avionin privat të Epstein në vitet ’90, përpara se, sipas tij, marrëdhënia mes tyre të ishte prishur.

Dosjet e reja përmbajnë gjithashtu imazhe që tregojnë figura të njohura publike, përfshirë Bill Gates, Steve Bannon, Woody Allen dhe ish-presidentin amerikan Bill Clinton, në shoqëri me Epstein, herë pas here edhe në ishullin e tij privat. Deri më tani, asnjë prej këtyre personave nuk është akuzuar penalisht në lidhje me çështjen.

Jeffrey Epstein u gjet i vdekur në një qeli burgu në Nju Jork në gusht të vitit 2019, në atë që autoritetet e cilësuan si vetëvrasje, vetëm një muaj pasi ishte akuzuar zyrtarisht për trafikim seksual. Ai kishte qenë dënuar edhe më herët në Florida në vitin 2008, në kuadër të një marrëveshjeje të diskutueshme, duke vuajtur vetëm 13 muaj burg.

Një nga viktimat më të njohura, Virginia Roberts Giuffre, e cila ndërroi jetë në prill 2025 në Australi, kishte akuzuar Epstein se e kishte detyruar të kryente marrëdhënie seksuale me politikanë, biznesmenë dhe figura të tjera me ndikim kur ishte e mitur. Të gjithë personat e përmendur prej saj i kanë mohuar akuzat. Mes tyre ishte edhe Andrew Mountbatten-Windsor, i njohur si Princi Andrew, i cili mohoi akuzat, por arriti një marrëveshje jashtëgjyqësore me Giuffre. Si pasojë e skandalit, në vitin 2023, vëllai i tij, mbreti Charles III, i hoqi titujt mbretërorë.

Epstein këshilloi demokratët të ndalonin demonizimin e Trump

Gjatë mandatit të parë të Trump, Epstein i dërgoi një email Kathy Ruemmler, një avokate dhe ish-zyrtare e Shtëpisë së Bardhë të Obamës, për të paralajmëruar demokratët se duhet të ndalonin demonizimin e Trump si një figurë të tipit mafioz, edhe pse ai e tallte presidentin si një “maniak”.

“Ndoshta do të duash t’u thuash miqve të tu demokratë se të trajtosh Trumpin si një don të mafias injoron faktin se ai ka pushtet të madh e të rrezikshëm…”, shkroi Epstein në një email plot me gabime drejtshkrimore. “Shtrëngimi shumë ngadalë i litarit rrezikon një situatë shumë të keqe… Gambino nuk ka qenë kurrë komandant i përgjithshëm.”

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit