

SPAK i mbyll derën komisionit “Xhafaj”, refuzon kërkesën për vizitë monitoruese dhe e cilëson cenim të pavarësisë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, ka refuzuar zyrtarisht kërkesën e komisionit të përhershëm parlamentar të drejtuar nga Fatmir Xhafaj, i njohur si komisioni “Nisma qytetare”, për të zhvilluar një vizitë monitoruese mbi rezultatet e institucionit në luftën kundër pastrimit të parave.
Kërkesa për këtë vizitë ishte që monitorimi të realizohej më 6 shkurt 2026 dhe u paraqit në SPAK pikërisht në ditën kur Klodian Braho mori detyrën e kryeprokurorit, duke u prezantuar në mënyrë aktive edhe në Këshillin e Mandateve në Kuvend. Komisioni kërkonte përfshirjen e SPAK në axhendën e tij, duke e justifikuar nismën me një shkresë të Agjencisë së Inteligjencës Financiare, drejtuar Kuvendit dhe institucioneve të tjera, për disponimin e të dhënave mbi pastrimin e parave.
Në përgjigjen e saj, SPAK e ka cilësuar këtë kërkesë si një tejkalim të ligjit dhe një ndërhyrje në pavarësinë kushtetuese të institucionit. Sipas Prokurorisë së Posaçme, zhvillimi i vizitave monitoruese nga komisione parlamentare bie ndesh me parimin e pavarësisë së saj.
“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit”, thuhet në shkresën zyrtare të SPAK.
Megjithatë, institucioni lë të hapur derën për bashkëpunim institucional, duke theksuar se, në përputhje me ligjin, mund të informojë komisionin parlamentar, por jo të jetë objekt monitorimi.
“Në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional me komisionin, Prokuroria e Posaçme mbetet e angazhuar për të kontribuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese”, thekson SPAK.
Por këtu, Prokuroria e Posaçme kujton se ka kryer tashmë raportime të mëparshme mbi zbatimin e rekomandimeve të Task Forcës, në kuadër të procesit të vlerësimit të Shqipërisë nga Moneyval, organizmi ndërkombëtar për monitorimin e masave kundër pastrimit të parave.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






