Transmetuar më 30-01-2026, 20:43

TIRANË – Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore me katër sportistë, në një moment që shënon zgjerimin e përfaqësimit të vendit në sportet dimërore në arenën ndërkombëtare.

Pasditen e së enjtes, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, zhvilloi Ceremoninë e Dorëzimit të Flamurit për delegacionin shqiptar që do të garojë në Lojërat Olimpike Dimërore, të cilat nisin më 6 shkurt në Cortina d’Ampezzo, Itali.

Në këtë edicion, Shqipëria do të përfaqësohet nga katër skiatorë: Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti, të cilët do të konkurrojnë mes sportistëve më të mirë të botës në disiplinat përkatëse.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e mbështetjes për sportet që tradicionalisht kanë pasur më pak vëmendje publike, duke vënë në dukje përkushtimin dhe sakrificën e sportistëve shqiptarë në disiplina si skitë, mundja dhe peshëngritja.

Ai e cilësoi pjesëmarrjen në Olimpiadën Dimërore si një tregues të një ndryshimi të rëndësishëm në mënyrën se si Shqipëria po përfaqësohet ndërkombëtarisht, jo vetëm në diplomaci, por edhe në sport. Sipas Begajt, dorëzimi i flamurit nuk ishte thjesht një ceremoni formale, por një shprehje besimi dhe përgjegjësie ndaj përfaqësimit kombëtar.

“Ju do të përfaqësoni Shqipërinë në një arenë ku sot garojmë me më të mirët, aty ku dikur ishim vetëm spektatorë,” u shpreh Presidenti, duke inkurajuar sportistët të garojnë me dinjitet dhe ambicie.

Pjesëmarrja me katër atletë në Lojërat Olimpike Dimërore konsiderohet një hap domethënës për sportin shqiptar, veçanërisht në disiplinat dimërore, ku infrastruktura dhe tradita kanë qenë të kufizuara.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit