

Një prej risive më të debatueshme në draftin e Kodit të ri Penal, që pritet të shqyrtohet në Kuvend, lidhet me ndëshkimin penal të veprave seksuale të kryera gjatë udhëtimeve jashtë Shqipërisë. Dispozita synon të luftojë turizmin seksual dhe format e organizuara të shfrytëzimit, por ka ngritur pikëpyetje për interpretimin dhe zbatimin e saj.
Në nenin 108/b të draftit parashikohet ndëshkimi penal për organizimin e udhëtimeve me qëllim kryerjen e veprave penale seksuale, pavarësisht nëse këto veprime janë të ndaluara ose jo në vendin ku kryhet udhëtimi. Sipas formulimit, përgjegjësia penale shtrihet jo vetëm mbi ata që përfitojnë financiarisht, por edhe mbi rastet kur udhëtimi organizohet pa shpërblim.
Ligji synon kryesisht të godasë praktika si shfrytëzimi seksual i të miturve, përfshirja e tyre si dëshmitarë të abuzimit, si dhe organizimi i udhëtimeve për qëllime prostitucioni ose marrëdhëniesh intime të paligjshme. Për këto raste, dënimi i parashikuar është burgim nga dy deri në gjashtë vjet.
Formulimi i nenit përcakton se përgjegjësi penale mban personi që organizon udhëtimin, nëse gjatë tij kryhet një vepër penale seksuale e parashikuar në Kodin Penal shqiptar. Kjo do të thotë se ndëshkimi zbatohet në momentin që shtetasi kthehet në Shqipëri, edhe nëse akti ka ndodhur jashtë territorit të vendit.
Drafti shkon edhe më tej duke parashikuar pasoja të rënda për personat juridikë. Në rast se një kompani, biznes apo subjekt tjetër juridik përfshihet në organizimin e udhëtimeve për qëllime seksuale, përveç përgjegjësisë penale të individëve, gjykata mund të vendosë edhe mbylljen përfundimtare të subjektit.
Megjithatë, teksti i propozuar nuk jep sqarime të detajuara mbi mënyrën se si do të provohen këto vepra penale, veçanërisht kur ato janë kryer jashtë vendit. Kjo ka ngritur dilema mes juristëve për standardin e provës dhe për kufijtë e zbatimit praktik të këtij neni.
Drafti i Kodit të ri Penal është në fazë diskutimi dhe mbetet për t’u parë nëse ky nen do të pësojë ndryshime, sqarime apo kufizime përpara miratimit përfundimtar në Kuvend.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






