Transmetuar më 30-01-2026, 16:57

TIRANË – Rritja e pagës minimale në fillim të vitit nuk ka mjaftuar për të përmirësuar pozicionin e Shqipërisë në hartën europiane të pagave. Të dhënat e fundit të Eurostat tregojnë se vendi vijon të ketë pagën minimale më të ulët në Europë, ndërkohë që diferenca reale me vendet e rajonit thellohet kur llogaritet fuqia blerëse.

Sipas statistikave zyrtare, paga minimale bruto në Shqipëri ka arritur në 517 euro, nga 408 euro në tremujorin e mëparshëm. Rritja reflekton pjesërisht efektin e kursit të këmbimit, por nuk ndryshon realitetin bazë: Shqipëria mbetet në fund të listës, si në rajon ashtu edhe në nivel kontinental, duke përjashtuar vendet e ish-Bashkimit Sovjetik.

Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria renditet ndjeshëm pas fqinjëve. Serbia kryeson me pagë minimale 744 euro, e ndjekur nga Mali i Zi me 670 euro dhe Maqedonia e Veriut me 586 euro. Edhe Kosova, ndonëse pa të dhëna të përfshira në raportin e Eurostat, ka paralajmëruar rritje graduale të pagës minimale deri në 500 euro brenda vitit.

Megjithatë, tabloja bëhet edhe më problematike kur analiza zhvendoset nga shifra nominale te fuqia reale blerëse. Sipas treguesit PPS, i cili merr parasysh nivelin e çmimeve, paga minimale në Shqipëri arrin vetëm 708 njësi, shumë më poshtë se Maqedonia e Veriut me 1069 PPS, Serbia me 1105 PPS dhe Mali i Zi me 1058 PPS.

Kjo do të thotë se, ndonëse diferenca nominale e pagës minimale mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është relativisht e vogël, hendeku real i standardit të jetesës është shumë më i thellë. Praktikisht, një punonjës në Shqipëri blen ndjeshëm më pak me pagën e tij minimale sesa homologët në vendet fqinje, duke reflektuar një rritje më të shpejtë të çmimeve krahasuar me pagat.

Në nivel të Bashkimit Evropian, Eurostat raporton se në fillim të vitit 2026, 22 nga 27 vendet anëtare aplikonin pagë minimale kombëtare. Diferencat mbeten të mëdha: nga vende me paga minimale nën 1 000 euro në muaj, deri te ekonomitë e zhvilluara ku paga minimale kalon 2 000 euro.

Edhe pse këto diferenca ngushtohen kur korrigjohen me nivelin e çmimeve, hendeku mbetet i dukshëm. Pas përshtatjes sipas fuqisë blerëse, paga minimale më e lartë në BE rezulton rreth 2.4 herë më e madhe se më e ulëta, duke treguar se pabarazitë strukturore vazhdojnë, edhe në kushte inflacioni të ndryshëm.

Për Shqipërinë, të dhënat nënvizojnë një problem më të thellë se sa niveli i pagës minimale: raporti gjithnjë e më i pafavorshëm mes pagave dhe kostos së jetesës, i cili po gërryen fuqinë blerëse dhe standardin ekonomik të punonjësve me të ardhura të ulëta.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit