Transmetuar më 30-01-2026, 16:25

Në muajin e tmerrshëm mars 1997, vendi ishte në kaos. Ushtria dezertoi, burgjet u hapën dhe komisariatet u lanë në duart e kriminelëve. Në atë muaj të zi, kontrollin e kishin vetëm të eturit për krime të rënda.

Në atë vorbull, megjithatë, Gramshi ishte ndër të paktët qytete që nuk kishte kriminalitet të shtuar edhe pse rrethohej nga reparte ushtarake që atë kohë u zbrazën nga njerëz që vinin nga mbarë Shqipëria.

Por atë ditë marsi 1997, qyteti u zgjua i tmerruar nga ajo që mësoi: Një djali iu mor jeta me bukë në gojë. Nga një burrë që mund pas u bë njeriu me disa emra dhe arriti të jetojë i lirë për afro 29 vjet.

Bëhet fjalë për Kostandin Nishku, i njohur edhe me identitetet Baki Duzha dhe H. V., 60 vjeç, i lindur në Gramsh.më 17 tetor 1965.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, Kostandini sot 59-vjeçar ishte shpallur në kërkim që prej vitit 1998, pasi ishte dënuar me burgim të përjetshëm për veprën penale “Vrasja për shkak të cilësive të veçanta”. Prej vitesh ai fshihej në Greqi, ku jetonte duke përdorur një identitet shqiptar të falsifikuar.

Ngjarja e rëndë e vitit 1997

Krimi i rëndë ka ndodhur në muajin mars të vitit 1997. Sipas hetimeve, Kostandin Nishku, atëherë 31 vjeç, së bashku me një shtetas tjetër me inicialet R. K., janë paraqitur të armatosur në banesën e shtetasit K. B., ku kanë kërkuar vëllanë e tij, V. B..

Atëherë, shtetasi V.B., ishte arratisur nga një Institucion i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP), ku vuante dënim për vrasjen e vëllait të Kostandin Nishkut, krim i ndodhur në vitin 1993.

Pasi familjarët nuk kanë dhënë informacion për vendndodhjen e të arratisurit, Kostandin Nishku ka qëlluar për vdekje me armë zjarri djalin 9-vjeçar të K. B., një akt i kryer për motive gjakmarrjeje.

Fëmija u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetojë, duke tronditur opinionin publik në atë kohë dhe duke u kthyer në një nga rastet më të rënda të krimeve ndaj të miturve në vend.

Detajet që shokuan Gramshin për krimin e vitit 1997: Si u vra fëmija 9-vjeçar për gjakmarrje, me bukë në gojë!

Detaje tronditëse sjell në vëmendje bashkëpunëtorja e noa.al për ngjarjen e trishtë të 97-ës. Detaje që hedhin dritë mbi rrethanat e vrasjes së fëmijës 9-vjeçar në vitin 1997, krim për të cilin autori u arrestua së fundmi në Greqi pas më shumë se dy dekadash në arrati.

Ajo kujton faktin e raportuar në atë kohë, ngjarje për të cilin fliste gjithë qyteti, se djali vetëm 9 vjeç ishte duke ngrënë bukë në momentin kur autori ka trokitur në derën e banesës. I mituri ka hapur derën dhe, pa asnjë paralajmërim, autori e ka kërcënuar me armë dhe e ka qëlluar për vdekje brenda korridorit të shtëpisë.

Në çastet që autori bënte gati armën për të shtier, dëgjohet lutja e nënës së fëmijës, e cila i është përgjëruar autorit të mos e vriste djalin, duke theksuar se ishte i vetmi djalë dhe kishte katër motra. Megjithatë, autori nuk është ndalur dhe ka kryer vrasjen.

Më pas fëmija është dërguar në spital, ku mjekët janë përpjekur ta shpëtojnë, por ai nuk ka arritur të mbijetojë. Mjekët treguan atëherë se fëmija u erdhi në spital me bukë në gojë dhe teksa i vogli iku nga kjo botë, plot trishtim iu desh tia nxirrnin ushqimin që nuk arriti ta gëlltisë nga krimi i tmerrshëm i Nishkut.

Ngjarja ka lënë gjurmë të thella dhe, për këtë fëmijë janë krijuar edhe këngë, si shenjë dhimbjeje dhe kujtese. Kënga që mund të shihni dhe dëgjoni këtu është kënduar në atë kohë nga ansambli popullor i Gramshit.

Motivi i krimit ishte gjakmarrja, pasi ishte thënë se një i afërm i fëmijës kishte qenë i përfshirë në një vrasje më herët, çka çoi në hakmarrjen ndaj të miturit, një akt që në atë kohë e tronditi rëndë opinionin publik.

Kujtojmë se për këtë ngjarje, autori ishte dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa arrestimi i tij në Greqi u bë i mundur pas identifikimit përmes dokumenteve false. Aktualisht pritet ekstradimi i tij në Shqipëri, për vuajtjen e dënimit.

Si u identifikua pas kaq vitesh

Identifikimi dhe arrestimi i 59-vjeçarit u bë i mundur falë krahasimit të fotografive të vitit 1997 me ato të pasaportës së falsifikuar, të cilën ai e kishte siguruar në vitin 2013. Ky proces verifikimi çoi në zbulimin e identitetit të tij real dhe në ndalimin nga autoritetet greke.

Pritet ekstradimi

Aktualisht, Nishku ndodhet në paraburgim në Greqi dhe pritet përfundimi i procedurave ligjore për ekstradimin e tij në Shqipëri, ku do të vuajë dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë nga drejtësia shqiptare.

Policia shqiptare e cilëson arrestimin si një sukses të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërkombëtar, duke theksuar se asnjë krim, sado vite të kenë kaluar, nuk mbetet pa autor përpara drejtësisë. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit