

Ministria e Drejtësisë ka përfunduar projektligjin për amnistinë penale, i cili është dërguar për shqyrtim në Këshillin e Ministrave dhe pritet të miratohet për t’u depozituar më pas në Kuvend.
Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, në një konferencë për shtyp bëri të ditur se nga ky akt pritet të përfitojnë rreth 10 mijë persona, bazuar në vlerësimet paraprake që përfshijnë edhe procedimet e vitit 2024.
Sipas ministrit, 338 të dënuar do të përfitojnë lirim të menjëhershëm, ndërsa 980 persona të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Lamallari theksoi se filozofia e kësaj amnistie bazohet në qasjen rehabilituese dhe humanizuese të sistemit penal.
Ai nënvizoi se një pjesë e konsiderueshme e përfituesve i përkasin grupeve vulnerabël, përfshirë gra dhe të mitur, duke e cilësuar amnistinë si një akt human që synon parandalimin dhe riintegrimin social.
“Është një kategori shumë e madhe personash të cilët përfitojnë nga shifra paraprake, duke përfshirë edhe procedimet e vitit 2024, numri i përfituesve është më shumë se 10 mijë. Janë 1230 persona të cilët aktualisht janë në sistemin penitenciar, që do të thotë 338 persona fitojnë lirim të menjëhershëm, më pas 980 të tjerë që përfitojnë ulje dënimi. Për dy vepra që konsiderohen të lehta, drejtimi i parregullt i automjetit, vetëm për vitin 2024 llogariten 7711 procedime të regjistruara. Këto shuhen menjëherë pas miratimit të projektligjit për amnistinë, pa përfshirë këtu shumë persona të tjerë të cilët janë në shërbimin e provës”, tha z. Lamallari.
“Ky akt reflekton nevojën për të ndryshuar qasje dhe mendësi, duke i dhënë shoqërisë orientim drejt rehabilitimit dhe mundësive të dyta. Masa e arrestit me burg duhet të jetë mjeti i fundit”, u shpreh ministri Lamallari.
Ministri sqaroi gjithashtu se nga amnistia nuk përfitojnë persona që janë në hetim apo gjykim nga Strukturat e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Gjykata e Posaçme (GJKKO).
“Ky projektligj nuk përfshin dënime apo çështje që janë në kompetencë të SPAK dhe GJKKO. Është e rëndësishme të shmangen spekulimet, sidomos në këtë kontekst institucional”, deklaroi Lamallari.
Pas miratimit në Këshillin e Ministrave, projektligji për amnistinë penale pritet t’i përcillet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.
Ministri foli dhe për dekriminalizimin e shpifjes për gazetarët: “Kemi kaluar në Parlament ndryshimet në Kodin Penal duke përfshirë këtu dekriminalizmin e shpifjes sidomos për një kategori të caktuar personash që kërkojnë më shumë mbrojtje, gazetarët. Sapo kam firmosur propozimin për amnistinë penale, duke e dërguar këtë propozim për akt ligjor në Këshillin e Ministrave dhe besoj se shumë shpejt do të kemi miratimi e aktit dhe më pas depozitimin në Kuvend”, tha ai. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






