Transmetuar më 30-01-2026, 12:32

Administrata Tatimore ka publikuar udhëzime të detajuara për fermerët mbi procedurën e përfitimit të kompensimit përmes skemës së autofaturës, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

Në njoftimin zyrtar, Tatimet sqarojnë hap pas hapi mënyrën e funksionimit të skemës, kategoritë që përfitojnë, dokumentacionin e nevojshëm si dhe afatet që duhet të respektohen për të shmangur refuzimin e kërkesave apo penalitetet.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, prodhues bujqësor konsiderohet fermeri që ushtron veprimtari në rritjen e kafshëve ose prodhimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, të cilat shiten në gjendje të papërpunuar. Skema e kompensimit zbatohet për ata prodhues për të cilët regjimi normal i TVSH-së paraqet vështirësi, kur ata furnizojnë me produkte ose shërbime bujqësore persona të tatueshëm të regjistruar për TVSH, si grumbullues, përpunues të produkteve bujqësore apo njësi agroturizmi të certifikuara.

Kompensimi realizohet përmes autofaturës, e cila lëshohet nga blerësi i regjistruar për TVSH në emër të prodhuesit bujqësor. Në faturë duhet të pasqyrohet NIPT-i i fermerit dhe të gjithë elementët e parashikuar nga legjislacioni për faturën tatimore. Vlera e autofaturës shërben si bazë për llogaritjen e kompensimit.

Për të përfituar nga skema, qarkullimi vjetor i fermerit nuk duhet të tejkalojë kufirin minimal të regjistrimit për TVSH. Produktet ose shërbimet duhet të jenë rezultat i drejtpërdrejtë i veprimtarisë bujqësore dhe të shiten te subjekte të tatueshme të regjistruara për TVSH, të përcaktuara me udhëzim të Ministrisë së Financave.

Administrata Tatimore bën të ditur se fermeri duhet të jetë i pajisur me numër identifikimi (NIPT), pa pasur detyrim për deklarim periodik të TVSH-së. Norma e kompensimit është 10 për qind e vlerës totale të produkteve të furnizuara, të dokumentuara me fatura tatimore, për një periudhë gjashtëmujore.

Kërkesa për kompensim paraqitet çdo gjashtë muaj dhe dorëzohet pranë administratës tatimore në mënyrë elektronike ose përmes shërbimit postar, e shoqëruar me kopje të faturave tatimore dhe numrin e llogarisë bankare të fermerit.

Për furnizimet e kryera nga janari deri në qershor 2026, kërkesa duhet të paraqitet deri më 31 dhjetor 2026, ndërsa për furnizimet nga korriku deri në dhjetor 2026, afati për aplikim është 30 qershor 2027.

Tatimet theksojnë se kompensimi kryhet brenda 30 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës dhe paralajmërojnë se mosrespektimi i afateve apo kushteve ligjore sjell refuzimin e aplikimit, duke i ftuar fermerët të informohen nga burime zyrtare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit