Transmetuar më 30-01-2026, 11:24

Policia e Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar duke paralajmëruar qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve online.

Theksohet se po qarkullojnë oferta mashtruese që kanë për qëllim përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve.

Njoftimi i plotë

Policia e Shtetit, nëpërmjet Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, informon dhe ndërgjegjëson qytetarët në lidhje me raste të mashtrimeve online që kanë të bëjnë me oferta të rreme për kredi.

Janë evidentuar raste kur persona të panjohur, përmes faqeve të dyshimta në internet, rrjeteve sociale apo mesazheve elektronike, paraqiten si përfaqësues të institucioneve financiare dhe i nxisin qytetarët të aplikojnë online për kredi, me qëllim përfitimin monetar në mënyrë mashtruese.

Këto oferta janë mashtruese dhe synojnë përvetësimin e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve.

Policia e Shtetit këshillon qytetarët që:

Të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos dërgojnë para, të dhëna bankare apo dokumente personale te persona të paidentifikuar apo faqe interneti të pasigurta.

Përpara se të aplikojnë për kredi pranë institucioneve financiare, të verifikojnë gjithmonë informacionin.

Të komunikojnë drejtpërdrejt me personelin bankar, duke përdorur vetëm kontaktet zyrtare të publikuara në faqet zyrtare të bankave përkatëse, veçanërisht në rastet kur nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në degët bankare.

Qytetarët ftohen që çdo rast të dyshuar për mashtrim ta denoncojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, me qëllim parandalimin dhe hetimin e këtyre veprave penale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit