

Shijak | Arrestohet një 53-vjeçar i kërkuar nga Italia, i dënuar me 9 vite burg
Policia ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Decision”, duke lokalizuar dhe arrestuar në Shijak një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane.
Në kuadër të punës për gjurmimin dhe kapjen e personave në kërkim, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shijak dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës, bënë të mundur kapjen e shtetasit Festim Keci, 53 vjeç, banues në Shijak.
Sipas njoftimit zyrtar, 53-vjeçari ishte i dënuar nga Gjykata e Apelit e Torinos në vitin 2023 me 9 vite burg, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, “Pjesëmarrje në organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”, të parashikuara nga Kodi Penal italian.
Pas arrestimit, Festim Keci u vu në pranga në mënyrë të përkohshme, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila do të ndjekë hapat e mëtejshëm ligjorë për ekstradimin e tij.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






