

Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Itali dyshohet se i ka marrë jetën dy të rinjve shqiptarë, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Ngjarja është regjistruar në strada Sanità, në segmentin e rrugës provinciale që lidh Savigliano me Vottignasco, në provincën Cuneo – një aks rrugor i njohur prej vitesh për problematika të sigurisë dhe aksidente të shpeshta.
Sipas mediave italiane, një automjet tip Jeep, në të cilin udhëtonin tre shtetas shqiptarë, është përplasur ballë për ballë me një mjet të rëndë Iveco. Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa shkaqet dhe dinamika e saktë e aksidentit mbeten ende nën hetim nga autoritetet vendase.
Dy prej të rinjve shqiptarë, të moshës pak mbi 20 vjeç, kanë ndërruar jetë në vendngjarje. I treti, 21 vjeç, i cili ndodhej në sediljen e pasme të automjetit, ka mbetur i plagosur dhe është transportuar me urgjencë në spitalin e Savigliano-s në kod të verdhë, jashtë rrezikut për jetën.
Në mjetin e rëndë udhëtonin një burrë 58-vjeçar dhe një grua 55-vjeçare. Burri është dërguar në spital gjithashtu në kod të verdhë, ndërsa gruaja ka pësuar plagë të rënda (politraumë) dhe është transportuar me helikopter drejt spitalit Santa Croce në Cuneo, në kod të kuq.
Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.


Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






