

Në një dëshmi të gjatë dhe tronditëse, Ilir Meta hedh dritë mbi ngjarjet që paraprinë 21 Janarin 2011, duke zbuluar mesazhe paralajmëruese, tentativa shantazhi, presione politike dhe vendimin e tij për t’u larguar nga posti përpara protestës fatale.
Një rrëfim që ngre pikëpyetje të forta mbi organizimin e dhunës, rolin e aktorëve politikë dhe të vërtetat e fshehura pas një prej ditëve më të errëta të tranzicionit shqiptar.
E PLOTË/ Të vërtetat e 21 Janarit, 14 Shtatorit dhe çështjes Hajdari
Nga Ilir Meta
Kur njerëzit me integritet nuk i thonë të vërtetat, veçse ndihmojnë falsifikatorët e historisë të legjitimojnë gënjeshtrat e tyre.
Jo vetëm kaq, por edhe detyrohen të dëgjojnë leksione për “standarde morali” nga njerëz që me moral kuptojnë vetëm borderonë ku paguhen (në të bardhë apo të zezë).
Akoma më keq kur dëgjon gënjeshtra nga ish-drejtues institucionesh që mbajnë përgjegjësi për veprimet apo mashtrimet kur ishin në detyra shtetërore apo qeveritare.
Le të nisim me 21 Janarin 2011
Dëgjova edhe një gazetar të njohur se kur atëherë për 700 mijë euro u bë nami në 21 Janar, tani duhet të bëhet hataja kur flitet me dhjetëra milionë euro, etj. (Kjo është përmbledhje sintetike e imja).
Nëse populli vërtet do të ishte revoltuar për atë montazh të stërprovuar më 11 Janar, do të kishte dalë që atë natë në rrugë (siç ka ndodhur në Hungari e vende të tjera). Ja maksimumi ditën tjetër. Por 21 Janari ndodh vetëm 10 ditë pas publikimit.
Ndërkohë përgatitjet për 21 Janarin kishin nisur muaj më parë.
Pas një viti në krye të Ministrisë së Jashtme, pasi kishim përmbyllur me sukses çështje madhore si vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, si edhe liberalizimi i vizave pas takimit vendimtar të Sarajevës, por edhe pas zmbrapsjes së Projekt-Rezolutës së Serbisë në OKB kundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, ramë dakord me Kryeministrin Berisha për të bërë rokadë brenda dy ministrive që drejtonte Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI).
Arsyeja kryesore ishte jo vetëm se unë i kisha përmbushur objektivat kryesorë në MPJ, por edhe se e kisha të pamundur të drejtoja në mënyrë efektive LSI-në, ndërkohë që po afronin zgjedhjet vendore.
Në një vit kisha kaluar gati 170 ditë jashtë shtetit.
Këtë vendim ia komunikova edhe zotërisë me të cilin do të bëja rokadën.
Edhe pse i palumtur, ai i mirëkuptoi argumentet e mia.
Por çuditërisht, pasdite më mbërritën nja dy SMS të tij, ku më thoshte se nuk ishte dakord me këtë rokadë dhe se duhej ta vlerësoja edhe njëherë këtë ide, se përndryshe ai kishte përgjime me mua.
Kaq mjaftoi që ai të “shkarkohej” pa u propozuar.
Këto mesazhe ia kalova Kryeministrit Berisha dhe i bëra të qartë që ky nuk mund të ishte Ministër i Jashtëm dhe i propozova z. Edmond Haxhinasto, me një përvojë të çmuar diplomatike.
Kështu që shantazhi u shpërblye me shkarkim dhe jo me “negociata”.
Disa javë më vonë, shantazhisti bëri të penduarin duke më kërkuar falje në celular dhe po kështu edhe takim, i cili u zhvillua te “Piazza”.
Pasi kërkoi falje për “nxitimin”, më solli një ofertë “fantastike” nga Edi Rama.
Thelbi i ofertës ishte që unë të bëhesha Kryeministër dhe ta bënim Qeverinë sipas dëshirës tonë dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të na mbështeste pa kushte.
“O shoku,” – e pyeta – “unë si do të jem Kryeministër me 4 deputetë?”
Unë kisha mbi 60 deputetë si Kryeministër dhe u largova vetë, sepse nuk mund të pranoja kushtet e pakicës parlamentare të Fatos Nanos.
Në fund, shantazhisti më tha se nëse unë bëhesha Kryeministër, ai nuk do t’i nxirrte përgjimet.
Këtu biseda mbaroi “me sukses”, sepse “i penduari” u bë recidivist.
Pak ditë më vonë, një pronar mediash, që ishte mik i përbashkët, më kërkoi takim urgjent te “Rogneri”.
Më tregoi një foto ku isha unë me shantazhistin në zyrën e këtij të fundit.
“Çfarë urgjence ka kjo?” – e pyeta.
“Ma tha ai,” – më tha pronari i medias – “dhe do ta publikojë përgjimin nëse nuk e pranon propozimin”.
“Faleminderit,” – i thashë – “por thuaji atij të publikojë çfarë të dojë dhe kur të dojë”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






