

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka paralajmëruar organizimin e asaj që e cilësoi si protesta më e madhe dhe më e fuqishme që ka njohur ndonjëherë Tirana dhe Shqipëria.
Deklaratat Berisha i bëri këtë të enjte para mediave, pas përfundimit të vizitës së tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Ai theksoi se Partia Demokratike dhe opozita janë të vendosura të vijojnë betejën politike dhe se shqiptarët nuk do të zhgënjehen.
Sipas Berishës, gjatë takimeve në Këshillin e Europës, situata në Shqipëri dhe zhvillimet politike janë pritur me shqetësim nga ndërkombëtarët. Ai e cilësoi “tronditës” skandalin e AKSHI-t dhe u shpreh se kryeministri Edi Rama është parë me përçmim në sallat që i quajti “tempulli i demokracisë”.
Berisha deklaroi se Shqipëria, sipas tij, po renditet ndër vendet autoritare dhe akuzoi qeverinë për bllokimin e funksionimit të Parlamentit. Ai e quajti këtë veprim një “akt puçist”, duke thënë se Rama ka penguar shqyrtimin e dosjeve për të mbrojtur veten.
“Jehona e protestës ka qenë e fuqishme dhe ndërkombëtarët presin një protestë të dytë, po aq këmbëngulëse, sa ajo që presin edhe opozitarët shqiptarë,” u shpreh Berisha.
Në fund të deklaratës së tij, ai ftoi opozitën dhe mbështetësit e saj që të vazhdojnë betejën politike deri në fund, duke theksuar se sipas tij, shpresa e vetme për vendin mbetet opozita. Ai shtoi se shumë shpejt qytetarët do të informohen për datën dhe detajet e protestës së paralajmëruar.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






