Transmetuar më 30-01-2026, 08:45

Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, ka folur për mundësinë e bashkimit të opozitës dhe pikat që mund ta unifikojnë atë përballë mazhorancës, pavarësisht dallimeve politike mes forcave opozitare.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Shehi u ndal fillimisht te roli i drejtësisë në vend, duke e cilësuar atë si të dëmtuar dhe problematike, por njëkohësisht si mjetin më të rëndësishëm që opozita ka aktualisht në dispozicion.

Sipas tij, pavarësisht kritikave ndaj sistemit të drejtësisë, kjo mbetet shpresa më e madhe për opozitën dhe për shoqërinë shqiptare në tërësi. Ai theksoi se prokurorët, mirë apo keq, po kontribuojnë në krijimin e një mundësie për pastrimin e jetës publike dhe politike në vend, jo thjesht për rotacion pushteti, por për një ndryshim më të thellë shoqëror.

Duke folur për bashkëpunimin mes forcave opozitare, Shehi u shpreh se bashkimi nuk duhet parë si një marrëveshje formale apo interesash të ngushta, por si dakordësi mbi disa parime themelore. Sipas tij, nëse opozita bie dakord mbi gabimet e së shkuarës dhe mbi nevojën për t’i korrigjuar ato, atëherë është e mundur të ecet në një rrugë të përbashkët politike.

Shehi theksoi se bashkimi i opozitës nuk mund të bëhet mbi baza klienteliste apo nën kushte të vendosura nga një palë e vetme, por vetëm mbi interesa të përbashkëta që i shërbejnë vendit dhe qytetarëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit