Transmetuar më 30-01-2026, 08:40

Nga Skënder Minxhozi

Fillimisht i duhet të hedhë poshtë akuzat e kundërshtarëve politikë që e akuzojnë se s’po le gur pa lëvizur që t’i shpëtojë “shpatës” së drejtësisë. Kjo është relativisht e lehtë pasi në çdo rast dhe për çdo gjë Berisha dhe të tjerët do të ishin kundër asaj që bën Edi Rama me axhendën e tij diplomatike. E kanë goditur për politikën rajonale, për raportet me SHBA, për Kosovën, Greqinë dhe gjithçka tjetër që mban brenda harta politike e hemisferës veriore.

Edi Rama duhet t’i shpjegojë lëvizjet e tij diplomatike më së shumti në planin e jashtëm. Duhet t’ua shpjegojë partnerëve evropianë të cilët në shumicë i ka miq e të njohur të vjetër. Duhet të japë shpjegime në kohën kur kontinenti i vjetër dhe shteti më i fuqishëm i botës po polarizojnë qëndrimet mes tyre duke përfshirë kërcënimet tregëtare por edhe territoriale, siç qe rasti i Groenlandës.

Në të gjitha këto ngjarje të mëdha Shqipëria e vogël nuk ka as gisht e as të drejtë vote. Jemi shumë të parëndësishëm për të qenë aktorë në këtë paradë muskujsh të nivelit botëror. E megjithatë porsi pluhuri i hekurit kur i vendos afër një magnet, kjo përmbysje gjeopolitike po kërkon rreshtimin e të gjitha “grimcave” sipas poleve të magnetit.

Ashpërsimi i marrëdhënieve brenda botës perëndimore do të kërkojë me gjasë që dikur të gjithë dhe cilido të bëjnë një zgjedhje mes SHBA dhe Evropës. Kjo është mesa duket e ardhmja, pasi amerikanët e kanë bërë të qartë se parimi i ri të cilit i falen është “secili për vete, Zoti për të gjithë”!

Në këtë rirreshtim të historisë për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria duhet të ruajë interesat dhe të ardhmen e saj. Të qëndrojë fort me Amerikën në aspektin e sigurisë dhe të mbajë hapur korsinë që çon në BE, si projekti i vetëm afatgjatë dhe me perspektivë për shqiptarët. Edhe ky është një balet i vështirë për t’u kërcyer mes dy gjigandësh, i cili do të testojë skajshëm aftësitë diplomatike të kryeministrit shqiptar dhe të të gjithë shtetit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit