

Deputetët demokratë kanë vizituar Liam Conejo Ramos, një fëmijë 5-vjeçar që ndodhet në qendrën federale të ndalimit në Teksas, pas arrestimit të tij dhe të babait nga agjentët e Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE) në Minneapolis.
Adrian Alexander Conejo Arias, babai i Liamit, u rrëfeu situatën e tyre deputetëve Joaquin Castro dhe Jasmine Crockett, të cilët e panë dje për 30 minuta në një sallë gjyqi brenda South Texas Family Residential Center në Dilley. Ai tregoi se djali fle shumë, pyet shpesh për nënën dhe shokët e shkollës, por nuk po ha dhe duket i trishtuar.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në CBS News, deputeti Joaquin Castro informoi drejtorin e shkollës së Liamit për gjendjen e tij: “Nuk është në emergjencë, por babai i tij thotë se ndodhet në një lloj depresioni. Nuk ha dhe pyet vazhdimisht kur do të dalin prej andej. Dëshiron të kthehet në shkollë dhe pyet për çantën dhe kapelën që mbante kur u ndalua nga ICE”. Drejtori, i prekur nga rrëfimi, premtoi se do t’i blinte një kapele tjetër.
Nëna e Ramos foli për përkeqësimin e shëndetit të tij në fillim të kësaj jave për MPR News. “Liam po sëmuret sepse ushqimi që marrin nuk është me cilësi të mirë. Ka dhimbje stomaku, vjell, ka temperaturë dhe nuk do të hajë më”, tha ajo, sipas La Repubblica.
Deputeti Castro i bëri thirrje presidentit Donald Trump të mendojë se si ndihen fëmijët e kësaj moshe në një situatë të tillë.
“Do t’i kërkoja presidentit Trump, i cili ka nipër e mbesa në moshën e disa prej fëmijëve që takuam sot, të mendojë se çfarë do të thoshte për ta të gjendeshin pas hekurave”, deklaroi Castro gjatë një konference për shtyp më vonë, ku ai dhe demokratë të tjerë kërkuan lirimin e Liam-it dhe të ndaluarve të tjerë.
Arrestimi i Liamit dhe të atit ndodhi më 20 janar në kuadër të një operacioni të madh në Minneapolis, që shkaktoi protesta masive në qytet.
Një foto e fëmijës, me kapele dimërore blu dhe çantë me logon e Spider-Man, shkaktoi reagime të forta, duke e bërë Liam-in simbol të “dhunës së sistemit të ICE-s dhe qendrave të ndalimit”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






