Transmetuar më 30-01-2026, 07:43

TIRANË – Administrata Tatimore u ka kërkuar bizneseve që të dorëzojnë inventarët analitikë deri më 31 janar 2026, duke paralajmëruar verifikime në terren për subjektet që nuk i dorëzojnë në afat ose paraqesin pasaktësi.

Në njoftimin zyrtar drejtuar subjekteve, Tatimet sqarojnë se kërkesa bazohet në Ligjin nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, konkretisht në nenin 60, që përcakton detyrimin e tatimpaguesve për të dhënë informacion administratës tatimore.

Sipas njoftimit, bizneset duhet të depozitojnë inventarin analitik të datës 31.12.2025, i cili duhet të përmbajë të dhëna të detajuara për:

lëndën e parë,

produktet e gatshme,

mallrat për rishitje, të pasqyruara në njësi, sasi, çmim dhe vlerë.

Ky informacion duhet të ngarkohet elektronikisht në sistemin e tatimeve e-Filing, në rubrikën “Çështjet e mia”, brenda datës 31.01.2026, me emërtimin “Inventari 31.12.2025”.

Administrata Tatimore paralajmëron se, bazuar në analizën e riskut, duke marrë në konsideratë faktorë si mosdorëzimi në afat, pasaktësitë apo mospërputhjet me të dhënat e fiskalizimit, subjektet mund të konsiderohen me risk dhe të bëhen objekt verifikimi në vend për saktësinë e inventarit.

Ndërkohë, një pjesë e bizneseve kanë shprehur shqetësime lidhur me afatin e vendosur, duke argumentuar se problemet teknike me platformën Self-Care, e cila për rreth tre javë ishte jashtë funksioni, e kanë vështirësuar rakordimin e faturave. Sipas tyre, kjo e bën afatin aktual tepër të shtrënguar.

Nga ana tjetër, ka edhe subjekte që theksojnë se mosfunksionimi i Self-Care nuk përbën pengesë për dorëzimin e inventarëve, pasi informacioni i nevojshëm mund të sigurohet përmes sistemit e-Filing.

Problemet me Self-Care, sipas kontabilistëve, kanë ndikuar edhe në përgatitjen e pasqyrave financiare për vitin 2025. Kontabilisti Sotiraq Dhamo ka deklaruar më herët se Self-Care përbën bazën kryesore për rakordime dhe mungesa e aksesit në platformë vështirëson ndjeshëm përgatitjen e planit financiar vjetor.

Edhe Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë ka kërkuar një plan emergjence dhe shtyrje të afateve për dorëzimin e bilanceve, të cilat aktualisht kanë si afat përfundimtar 31 marsin, por përgatitja e tyre nis që në muajin janar.

Sipas shoqatës, rakordimi i shitjeve dhe konfirmimi i blerjeve mes të dhënave të softuerëve kontabël dhe informacionit të përpunuar nga serverët tatimorë është bërë jashtëzakonisht i vështirë, duke rrezikuar parimin e vërtetësisë në hartimin e pasqyrave financiare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit