Transmetuar më 30-01-2026, 07:38

PRISHTINË – Energjia elektrike në Kosovë mund të shtrenjtohet sërish gjatë vitit 2026. Furnizuesi i Shërbimit Universal, KESCO, ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) aplikimin për përcaktimin e të hyrave të lejuara maksimale, duke kërkuar rritje të tarifave për 21.4 për qind.

Sipas kërkesës zyrtare, KESCO ka paraqitur analizën e kostove dhe projeksionet financiare për vitin 2026, ku thuhet se nevojat financiare të kompanisë tejkalojnë të hyrat e miratuara për vitin 2025, çka, sipas furnizuesit, e bën të domosdoshme rritjen e çmimeve për konsumatorët.

Nga dokumenti rezulton se të hyrat e propozuara për vitin 2026 arrijnë në rreth 528.78 milionë euro, krahasuar me rreth 435 milionë euro në vitin 2025, diferencë kjo që përkthehet në një rritje rreth 21 për qind të tarifave, nëse kërkesa miratohet nga rregullatori.

ZRRE ka konfirmuar se aplikimi është në proces shqyrtimi, ndërsa ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse rritja e propozuar do të miratohet apo refuzohet.

Kujtojmë se në vitin 2023, ZRRE miratoi rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 15 për qind, ndërsa në vitin 2025 tarifat u shtrenjtuan për 16.1 për qind. Ndërkohë, gjatë vitit 2024, rregullatori kishte vendosur ulje të tarifave, duke i reduktuar ato për 8 për qind për konsumatorët familjarë që shpenzonin mbi 800 kilovat-orë në muaj dhe për 3 për qind për konsumatorët komercialë dhe industrialë.

Aktualisht, tarifa ditore për konsumatorët familjarë që shpenzojnë deri në 800 kWh në muaj është 9.05 centë për kilovat-orë, ndërsa tarifa e natës është 3.88 centë për kilovat-orë. Për konsumin mbi 800 kWh, çmimi gjatë ditës arrin në 15.43 centë për kilovat-orë, ndërsa gjatë natës në 7.28 centë për kilovat-orë.

Vendimi përfundimtar i ZRRE-së pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në faturat e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset gjatë vitit të ardhshëm.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit