Transmetuar më 30-01-2026, 07:25

ZVICËR – Pas përfundimit të fazës së parë të Ligës së Kampionëve, verdiktet u dhanë edhe në Europa League, ku u përcaktuan skuadrat që siguruan kualifikimin direkt në 1/8 e finales dhe ato që do të vijojnë rrugëtimin përmes fazës play-off.

Lyon dhe Aston Villa ishin dy ekipet që e kishin siguruar më herët kualifikimin direkt. Skuadra franceze e mbylli fazën në vendin e parë, pasi mposhti PAOK-un e Selanikut me rezultatin 4-2. Ndërkohë, Aston Villa triumfoi 3-2 ndaj Salzburgut, duke u renditur në vendin e dytë.

Në 1/8 e finales u kualifikuan drejtpërdrejt edhe Midtjylland, Freiburg, Betis, Porto, Braga dhe Roma. Midtjylland fitoi 2-0 ndaj Dinamo Zagrebit, ndërsa Freiburg barazoi 0-0, rezultat që i mjaftoi për të shmangur play-off-in. Betis e mbylli me fitore këtë fazë, duke mposhtur 2-1 Feyenoordin, po ashtu edhe Porto, që triumfoi 3-1 ndaj Rangers. Roma, megjithëse me 10 lojtarë, barazoi 1-1 në Athinë ndaj Panathinaikos, duke u renditur në vendin e tetë.

Nga ana tjetër, Bologna nuk përfitoi nga fitorja 3-0 ndaj Maccabi Tel Aviv, duke u detyruar të luajë në fazën play-off. Edhe Braga barazoi 0-0 ndaj Go Ahead Eagles, skuadër tashmë e eliminuar.

Në fazën play-off do të garojnë skuadra si: Ferencváros, Nottingham Forest, Viktoria Plzen, Fenerbahçe, Panathinaikos, Genk, Crvena Zvezda, Stuttgart, Celta Vigo, Lille, Brann, Ludogorets, Dinamo Zagreb, ku aktivizohet edhe sulmuesi shqiptar Arbër Hoxha.

Ndërkohë, turneut i kanë thënë lamtumirë skuadra si Rangers, Sturm Graz, Nice, Malmö, Utrecht dhe Maccabi Tel Aviv.

Europa League tashmë hyn në fazën vendimtare, ku çdo ndeshje pritet të dhurojë emocione dhe përballje të forta mes pretendentëve për trofeun.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit