

Në Bruksel është zhvilluar sot seanca gjyqësore për vrasjen e Ardit Spahiut, ngjarje e ndodhur më 27 nëntor 2020 në Molenbeek, ku përballë drejtësisë janë nëntë persona. Lajmi raportohet nga gazeta belge La Libre.
Sipas raportimit, partnerja aktuale e Franc Gergelyt, i njohur si Franc Çopja dhe i dyshuari kryesor për vrasjen, ka dëshmuar përmes video-konferencës nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Gjatë dëshmisë së saj, ajo e përshkroi Çopjan si një person besnik dhe jo agresiv, duke theksuar se ai nuk kishte shfaqur kurrë sjellje të dhunshme apo ngritje zëri ndaj të tjerëve. Ajo deklaroi gjithashtu se nuk kishte dijeni për ndonjë aktivitet kriminal të partnerit të saj dhe u shpreh e bindur për pafajësinë e tij.
Në të njëjtën seancë, përmes video-konferencës ka dëshmuar edhe një shtetas shqiptar rreth 30 vjeç, nga Elbasani. Ai deklaroi se njihte familjet Alibej dhe Çopja, të cilat, sipas tij, janë përfshirë në një konflikt mes klanesh që prej dhjetorit të vitit 2018.
Kryetarja e trupit gjykues e pyeti dëshmitarin për një përplasje të ndodhur në vitin 2017 në një lokal në Elbasan, ku ishte përfshirë edhe Franc Gergely. Fillimisht, dëshmitari e cilësoi ngjarjen si një konflikt të vogël mes meshkujsh, por pas ndërhyrjes së gjykatës, ai pranoi se gjatë sherrit ishin përdorur edhe armë zjarri, ashtu siç ishte raportuar në mediat shqiptare.
Dëshmitari gjithashtu deklaroi se një pjesë e dëshmisë së dhënë më herët nga një anëtar i familjes Alibej, konkretisht vëllai i bashkëshortes së vëllait të viktimës, nuk ishte e vërtetë.
Ndërkohë, gjatë seancës së paradites, një ekspert i ADN-së informoi gjykatën se në vendin e krimit nuk është gjetur asnjë gjurmë tjetër biologjike, përveç ADN-së së Ardit Spahiut dhe të personit që drejtonte automjetin ku viktima ndodhej pak para vrasjes.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






