Transmetuar më 29-01-2026, 22:12

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar këtë të enjte për tërheqjen e menjëhershme nga tregu të një produkti qumështi për foshnje, pas një sinjalizimi të ardhur nga Sistemi Evropian i Alarmit për Sigurinë Ushqimore (RASFF).

Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera nga autoritetet në Gjermani, është konstatuar prania e substancës cereulide, një toksinë e rrezikshme e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus, në një produkt të destinuar për ushqimin e foshnjave.

Sipas njoftimit të AKU-së, bëhet fjalë për produktin Aptamil 1 Pronutra Advanced, ambalazh 800 gram, me numër artikulli 172911 dhe datë skadence 10 nëntor 2026.

Autoriteti bën me dije se trupat inspektuese janë angazhuar në terren për të verifikuar praninë e produktit dhe për të realizuar tërheqjen e tij të menjëhershme nga të gjitha pikat e tregtimit.

AKU u bën thirrje konsumatorëve që kanë blerë këtë qumësht për foshnje dhe e kanë ende në përdorim, ta kthejnë atë në pikat e shitjes ku është blerë dhe të shmangin çdo konsumim të mëtejshëm të produktit.

Më herët AKU njoftoi këto ditë edhe tërheqjen nga tregu të lotit të formulës për foshnjë “NAN 1 OPTIPRO” 800g, njoftim ky i bërë nga kompania prodhuese Nestle si masë parandaluese pas zbulimit të pranisë së bakterit cereulide në këtë produkt në subjektin prodhues në Holandë.

Njoftimi i plotë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon opinionin publik mbi njoftimin me numër reference 2026.0663 të ardhur nga Sistemi RASFF. Gjatë kontrolleve zyrtare të kryera në Gjermani, është konstatuar prani e substancës cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus në formulë për infant. Të dhënat e produktit:

Emri i produktit: APTAMIL 1 PRONUTRA 800G ADVANCED; Numri i artikullit 172911; Data e Skadencës: 10/11/2026

Trupat inspektuese në terren janë angazhuar në verifikimin dhe tërheqjen e menjëhershme të produktit nga tregu.

AKU i bën thirrje konsumatorëve nëse e kanë blerë këtë produkt dhe e kanë gjendje, ta kthejnë atë në pikat e shitjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit