Transmetuar më 29-01-2026, 21:21

Incident i rëndë në burgun e Malandrinos: I dënuari shqiptar përfundon në spital pas një konflikti, sapo ishte transferuar nga Koridhalosi

Një incident i rëndë, me elementë të qartë të një përplasjeje mafioze, u shënua mesditën e së enjtes së sotme më 29 janar, në institucionin penitenciar të Malandrinos në Greqi, ku një i burgosur me precedentë të rëndë penalë u sulmua brutalisht vetëm pak minuta pas mbërritjes në burg.

Viktima e kësaj pritë të përgjakshme është Dhimitër Meçi, një shtetas shqiptar 46-vjeçar, i njohur me nofkën “Dhimo”, figurë me rol qendror në strukturat e krimit të organizuar dhe me një histori të gjatë përfshirjeje në vepra të rënda penale.

Arrestimi i të burgosurit përgjegjës për sulmin ishte i menjëhershëm. Ai është N.E., një grek, i akuzuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, i cili punon në mensën e burgut.

“Dhimo” ishte transferuar pak më parë në Malandrino nga reparti psikiatrik i burgut të Koridhalos, ku ndodhej për një periudhë kohe në kuadër të ekspertizave psikiatrike të urdhëruara për çështjen e tij.

Sipas burimeve të mirëinformuara që raporton media greke Zougla, sulmi ndodhi në momentin kur po përfundonte procedura e regjistrimit të tij në burg.

Pa arritur ende të dërgohej në pavijonin ku ishte planifikuar të mbahej, ai u sulmua në befasi nga një tjetër i burgosur, N.E., i cili iu afrua dhe e goditi disa herë me një thikë të improvizuar.

Plagët e marra konsiderohen serioze, por sipas të njëjtave burime, pavarësisht dhunës dhe ashpërsisë së sulmit, jeta e tij nuk ndodhet në rrezik të menjëhershëm.

Autoritetet e trajtojnë këtë ngjarje si një tentativë të qartë ekzekutimi brenda mureve të burgut, ndërsa profili i objektivit shpjegon edhe peshën e rëndë të incidentit.

Sipas qarqeve policore, “Dhimo” konsiderohet një nga figurat më të forta të botës së krimit në Athinë dhe në të kaluarën ka pasur lidhje të drejtpërdrejta operative me Panajot Vlaston.

Emri i tij figuron në dosje voluminoze që lidhen me kontrata vrasjeje, rrjete shantazhi dhe grabitje të armatosura.

Peshë të veçantë ka përfshirja e tij në çështjen e bujshme të Jani Lalës.

Autoritetet hetimore kanë arritur në përfundimin se 45-vjeçari ishte organizatori kryesor dhe “truri” i pritës vrasëse të ngritur në maj të vitit 2025 ndaj Lalës.

Në atë sulm, viktima u qëllua me dhjetëra plumba nga armë automatike të tipit kallashnikov, por i shpëtoi vdekjes për shkak të fatit dhe blindimit të fortë të automjetit luksoz Mercedes që drejtonte.

Megjithatë, kjo tentativë nuk e shpëtoi përfundimisht. Jani Lala u ekzekutua më 1 nëntor në Arahova, në një çështje që vijon të mbetet në krye të hetimeve të Drejtorisë për Luftën kundër Krimit të Organizuar.

Për këtë vrasje janë arrestuar tashmë katër persona, shtetas me origjinë ruse dhe grekë, të cilët akuzohen për pjesëmarrje në planin ekzekutiv.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit