Transmetuar më 29-01-2026, 20:02

Pas tre ditësh bllokadë të shkaktuar nga protesta e kamionistëve të Maqedonisë së Veriut, nga ora 20:00 e mbrëmjes së sotme nis zhbllokimi i plotë i pikës kufitare të Qafë Thanës, si edhe i të gjitha pikave të tjera kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Protesta u organizua nga Shoqata e Transportuesve të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e rreth 370 kamionistëve në 10 pika kufitare, në kundërshtim me zbatimin e sistemit të ri elektronik të hyrje-daljeve në zonën Schengen.

Zgjidhja u arrit pas ndërhyrjes së Komisionit Evropian, i cili ka pranuar të lëshojë viza të posaçme për transportuesit.

Ministri i Transportit i Maqedonisë së Veriut, Aleksandar Nikolloski, bëri të ditur se Brukseli ka pranuar kërkesat dhe do të hartojë një strategji të re për shoferët profesionistë.

Megjithatë, përfaqësuesit e transportuesve theksojnë se regjimi i vizave mbetet i vjetëruar, por shprehen të gatshëm ta pranojnë këtë zgjidhje përkohësisht, në mungesë të alternativave të tjera.

Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë doli sonte me këtë komunikatë:

Autoritetet e Maqedonisë së Veriut, kanë njoftuar nëpërmjet Qendrës së Shkëmbimit të Informacionit, se protesta e nisur që prej datës 26.01.2026, nga shoferët e kamionëve, do të pezullohet sot më datë 29.01.2026 dhe në orën 20.00, në të gjitha pikat kufitare që lidhen me Maqedoninë e Veriut, do të fillojë qarkullimi normal i kamionëve.

Çfarë vendosi Brukseli

Bashkimi Evropian ka prezantuar një strategji të re për politikat e vizave, e cila për herë të parë parashikon zgjidhje të strukturuara për shoferët profesionistë nga vendet jashtë Zonës Shengen. Strategjia synon krijimin e një regjimi të posaçëm vizash për qëndrime të shkurtra, por të përsëritura dhe të vazhdueshme, brenda territorit Shengen.

Në dokumentin strategjik të Komisionit Evropian theksohet se sistemi aktual, i cili lejon qëndrimin deri në 90 ditë brenda një periudhe 180-ditore, po krijon vështirësi serioze për sektorët që varen nga lëvizja e shpeshtë ndërkufitare. Ndër sektorët më të prekur veçohet transporti, i konsideruar si jetik për funksionimin ekonomik të vendeve të Bashkimit Evropian.

Komisioni vëren se rregullat ekzistuese kërkojnë pajisjen me vizë afatgjatë ose leje qëndrimi për çdo periudhë që tejkalon 90 ditë, por një qasje e tillë nuk është funksionale për profesione që kërkojnë udhëtime të shpeshta dhe qëndrime të shkurtra në disa shtete anëtare, pa synim për vendosje të përhershme në BE.

Për herë të parë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, përmenden shoferët e kamionëve nga vendet e treta si kategori profesionale për të cilën mund të hartohen rregulla të reja për qëndrime afatshkurtra të zgjatura. Në të njëjtën kategori përfshihen edhe artistët në turne, sportistët si dhe profesionistë të angazhuar në projekte ndërkufitare.

Komisioni Evropian vlerëson se këto zgjidhje të reja për viza mund të rrisin fleksibilitetin e tregut të punës, të garantojnë stabilitetin e zinxhirëve të furnizimit dhe të përmirësojnë funksionimin e tregut të brendshëm të BE-së, duke ruajtur njëkohësisht kontrollin mbi flukset migratore.

Hapat e mëtejshëm, si dhe modelet konkrete të regjimeve të reja të vizave, do të jenë pjesë e negociatave me shtetet anëtare në periudhën në vijim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit