Transmetuar më 29-01-2026, 19:32

KUKËS – Pas 15 vitesh nga zhdukja misterioze e Bleona Matës, rasti ka rikthyer vëmendjen publike pas një dëshmie të re, e cila mund të hapë pista të reja hetimi mbi fatin e vajzës.

Një i moshuar ka ndarë së fundmi informacione dhe detaje lidhur me rrethanat e zhdukjes, lëvizje të dyshimta dhe elementë që, sipas tij, nuk janë bërë publike në kohën e ngjarjes. Këto deklarata janë bërë në kuadër të emisionit “Njerëzit e Humbur” dhe janë ripërsëritur në “Ftesë në 5”.

Nëna e Bleona Matës, Bukuria, ka dhënë një dëshmi të fortë emocionale, duke shprehur dhimbjen dhe zhgënjimin e saj për mungesën e drejtësisë gjatë këtyre viteve.

“Kjo dhimbje po më djeg çdo ditë. Por shpresoj që një ditë ta përqafoj vajzën time dhe t’ia dëgjoj zërin. Ai zotëria dinte shumë gjëra dhe e falënderoj që foli. Fshatarët e mbajtën të fshehtë nga frika”, u shpreh ajo.

Sipas saj, ditën e zhdukjes është parë një automjet me targa të Vlorës, ndërsa drejtësia ka dështuar të veprojë me shpejtësi.

Bukuria ka hedhur akuza të drejtpërdrejta ndaj hallave të vajzës, duke kërkuar që ato të mbajnë përgjegjësi ligjore për atë që ajo e cilëson si rrëmbim.

“Nuk është e drejtë që pas 15 vitesh, pesë persona të jenë ende të lirë. Ato duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të flasin për të vërtetën”, deklaroi ajo.

Nëna e Bleonës ka ngritur gjithashtu dyshime mbi qëndrimin e babait të vajzës, duke theksuar se ai nuk ka denoncuar kurrë zhdukjen e së bijës dhe, sipas saj, ka ushtruar presion për të mos e bërë çështjen publike.

“Unë denoncoja, ai tërhiqej. Nuk e kuptoj si një baba nuk kërkon fëmijën e vet”, tha ajo mes lotësh.

Rasti i zhdukjes së Bleona Matës mbetet ende i pazbardhur, ndërsa deklaratat e reja kanë nxitur thirrje për rifillimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit