Transmetuar më 29-01-2026, 18:37

TIRANË – Qeveria shqiptare ka publikuar në Fletoren Zyrtare Planin e Veprimit për Schengen 2026–2030, një dokument strategjik që synon harmonizimin e legjislacionit dhe praktikave administrative të Shqipërisë me standardet e Bashkimit Europian, si dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë brenda zonës Schengen.

Plani parashikon masa konkrete për përmirësimin e menaxhimit të kufijve, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe rritjen e kapaciteteve të strukturave përgjegjëse për kontrollin kufitar.

Një rol kyç në zbatimin e planit do të ketë Koordinatori Kombëtar i Schengen-it, në nivelin e zëvendësministrit të Brendshëm, i cili do të mbikëqyrë dhe koordinojë të gjitha aktivitetet. Ai do të bashkëpunojë me një mekanizëm kombëtar që përfshin Ministrinë e Brendshme, Policinë e Shtetit, Doganat, Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme, Ministrinë e Drejtësisë, Forcat e Armatosura/Rojën Bregdetare, si dhe agjenci të tjera shtetërore.

Dokumenti adreson gjithashtu sfidat e migracionit të parregullt, duke synuar përmirësimin e kapaciteteve pritëse dhe zbatimin efektiv të legjislacionit për azilin në përputhje me standardet e BE-së. Bashkëpunimi me Agjencinë e Bashkimit Europian për Azilin (EUAA) dhe Frontex-in parashikohet të forcojë sistemin kombëtar të pritjes, procedurat e kthimit dhe ripranimit të shtetasve të huaj.

Financimi i masave do të sigurohet kryesisht nga buxheti i shtetit, ndërsa mbështetja e Bashkimit Europian dhe donatorëve ndërkombëtarë do të fokusohet në projekte strategjike, veçanërisht në infrastrukturë dhe sisteme të teknologjisë së informacionit.

Shqipëria do të marrë pjesë gjithashtu në grupet e vlerësimit Schengen dhe në programe trajnimi të udhëhequra nga Komisioni Europian, me synim garantimin e një zbatimi efektiv dhe harmonizimi të plotë me acquis-in e Schengen-it.

Zbatimi i këtij plani synon të afrojë Shqipërinë me anëtarësimin në zonën Schengen, duke përmirësuar sigurinë kufitare, respektimin e të drejtave themelore dhe duke lehtësuar lëvizjen e lirë për qytetarët dhe bizneset.

Aktualisht, zona Schengen përfshin 29 shtete, nga të cilat 25 janë vende anëtare të Bashkimit Europian dhe 4 vende joanëtare.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit