Transmetuar më 29-01-2026, 18:20

TIRANË – Ka përfunduar pas rreth gjashtë orësh seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), lidhur me çështjen ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe deputetes Monika Kryemadhi.

Gjatë seancës, përfaqësuesit e SPAK vijuan paraqitjen e aktakuzës, duke lexuar një pjesë të konsiderueshme të provave dhe materialeve hetimore të përfshira në dosje. Leximi i plotë i mbrojtjes pritet të vijojë në seancat e ardhshme, ndërsa GJKKO do të vendosë për ecurinë e mëtejshme të procesit gjyqësor.

Më herët, avokati i Ilir Metës, Kujtim Cakrani, deklaroi se seanca është shoqëruar me tensione dhe debate, duke theksuar se, sipas tij, prokurori i çështjes, Sotir Kllapi, nuk ka qenë i saktë në relatimin e fakteve.

Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024. Ai dhe deputetja Monika Kryemadhi dyshohen se, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me funksionarë të tjerë shtetërorë, në disa episode që datojnë rreth 15 vite më parë, kanë shfrytëzuar funksionet e tyre shtetërore dhe politike për të favorizuar kompani private. Sipas SPAK, këto veprime përfshijnë edhe lobime në SHBA dhe transaksione shitblerjeje banesash, në këmbim të përfitimeve financiare të konsiderueshme, të cilat dyshohet se janë fshehur përmes mosdeklarimit në ILDKPI dhe KQZ.

Deputetja Kryemadhi po hetohet për tre vepra penale: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë. Më 23 tetor, Gjykata la në fuqi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj saj, si dhe ndaj Ema Çokut, e hetuar për pastrim parash.

Ndërkohë, për Piro Xhixhon, i hetuar për korrupsion pasiv, masa e sigurisë u zëvendësua nga “arrest në shtëpi” në “detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Të tre të hetuarit nën këtë masë sigurie janë të detyruar të paraqiten një herë në muaj pranë Policisë Gjyqësore të SPAK.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit