

Zv/kryeministrja Belinda Balluku ka paraqitur këtë të enjte një rekurs në Gjykatën e Lartë kundër masës së ndalimit të daljes jashtë vendit. Rekursi është dorëzuar në sekretarinë e Apelit të Posaçëm nga përfaqësuesit e saj ligjorë dhe pritet të regjistrohet zyrtarisht në Gjykatën e Lartë, ku më pas do të hidhet shorti për caktimin e gjyqtarit relator që do të shqyrtojë çështjen.
Balluku ka kundërshtuar konkretisht masën e bllokimit të pasaportës. Ndërsa për masën e pezullimit nga detyra, Apeli i Posaçëm nuk u shpreh gjatë shqyrtimit të ankimit, pasi kjo çështje ndodhet aktualisht në Gjykatën Kushtetuese.
Masa e ndalimit të daljes nga vendi ishte vendosur më herët nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në kuadër të procedimit penal ku Belinda Balluku figuron si e pandehur, sipas njoftimit zyrtar të SPAK.
Pas komunikimit të akuzës, SPAK ka kërkuar edhe pezullimin e Ballukut nga detyra e zv/kryeministres dhe ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës. Ky vendim është ankimuar nga qeveria në Gjykatën Kushtetuese, ku tashmë është zhvilluar edhe një seancë publike plenare dhe pritet shpallja e vendimit në vijim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






