Transmetuar më 29-01-2026, 17:54

SPAK dërgon për gjykim për vepra korrupsioni dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm 4 persona: ish-drejtuesin e Prokurorisë Sarandë, një avokat dhe dy biznesmenë

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal nr. 73 të vitit 2024, ndaj katër personave të akuzuar për korrupsion dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm.

Të pandehurit janë ish-drejtuesi i Prokurorisë Sarandë, Kledian Llaho, avokati Çlirim Shahini, si dhe dy biznesmenët Vasil Bakalli dhe Pando Papuçi.

Sipas SPAK, Kledian Llaho akuzohet për “korrupsion pasiv të gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi Vasil Bakallin. Ndërkohë, Pando Papuçi akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm në dy episode të veçanta, ndërsa avokati Çlirim Shahini për ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë.

Hetimet kanë zbuluar se kallëzuesi M.A. ishte nën hetim nga prokurori Kledian Llaho për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. SPAK ka dokumentuar se Llaho ka qenë i njëanshëm në hetimin e procedimit penal nr. 774/2021, për shkak të një konflikti interesi që lidhej me marrëdhënien mes familjes së kallëzuesit dhe vjehrrit të prokurorit, i cili ishte pronar i një hoteli të dhënë me qira.

Sipas dosjes, kallëzuesi M.A. kishte detyrime financiare në vlerën 1.800.000 lekë ndaj qiramarrësve, dhe SPAK ka provuar se prokurori Llaho i ka kërkuar kthimin e kësaj shume vjehrrit të tij, përmes shtetasit Vasil Bakalli, me qëllim lehtësimin e pozitës proceduriale të të hetuarit.

Po ashtu, është dokumentuar se Pando Papuçi, i cili gjithashtu ishte nën hetim në Prokurorinë e Sarandës, ka dhënë një shumë prej 30.000 eurosh në formë ryshfeti për Kledian Llahon dhe Vasil Bakallin, me qëllim që këta të fundit të ushtronin ndikim të paligjshëm tek prokurorja e çështjes për lehtësimin e pozitës së tij ligjore.

Në një tjetër episod, SPAK ka zbuluar se Papuçi i ka paguar 25.000 euro avokatit të tij, Çlirim Shahini, i cili i kishte premtuar se do të ushtronte ndikim të paligjshëm tek gjyqtarja e çështjes.

Pas përdorimit të metodave speciale të hetimit dhe kryerjes së veprimeve të shumta proceduriale, SPAK deklaron se veprat penale janë provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm. Materialet janë depozituar në Gjykatën e Posaçme dhe pritet që procesi gjyqësor të nisë në vijim.

Të dhënat e plota

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përfundoi hetimet dhe ka dërguar pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 73 të vitit 2024, në ngarkim të të pandehurve:

Kledian Llaho, i akuzuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 të Kodit Penal, dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245/1 paragrafi i katërt, dhe neni 25 të Kodit Penal.

Vasil Bakalli, i akuzuar për veprat penale “Korrupsion pasiv i gjyqtarit, prokurorit, apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 319/ç dhe 25 të Kodit Penal, dhe Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 245/1, paragrafi i katërt dhe 25 të Kodit Penal;

Pando Papuçi, i akuzuar për veprën penale Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i dytë i Kodit Penal në 2 episode;

Çlirim Shahini, i akuzuar për veprën penale“Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal.

Kallëzuesi, shtetasi M.A është hetuar penalisht nga Prokurori Kledian Llaho, në kuadër të një hetimi penal të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Ndërkohë është dokumentuar fakti penal se prokurori, Kledian Llaho ka qenë i njëanshëm në hetimin e procedimit penal

nr.774/2021. Qëndrimi i tij lidhet me marrëdhënien që familja e kallëzuesit (shtetasit M.A) kishte me vjehrrin e prokurorit, sepse ishte qiramarrës i një objekti hotel, në pronësi të vjehrrit të prokurorit. Shtetasi M.A kishte njohur investimin e kryer dhe për rrjedhojë detyrimin ndaj qiramarrësve në shumën prej 1.800.000 (një milion e tetëqind mijë) lekë.

Duke iu referuar fakteve të mësipërme, Prokuroria e Posaçme ka dokumentuar faktin penal se prokurori Kledian Llaho, në cilësinë e prokurorit të çështjes, i ka kërkuar palës së hetuar t’i kthejë vjehrrit të tij shumën prej 1.800.000 përmes të njohurit të tij shtetasit, Vasil Bakalli, me qëllim lehtësimin e pozitës proceduariale të të hetuarit M.A, në kuadër të procedimit penal në ngarkim të tij.

Njëkohësisht, i hetuar në procedimin penal të Prokurorisë Sarandë ishte edhe shtetasi Pando Papuçi, i cili i ka dorëzuar shtetasit, Vasil Bakalli dhe Kledian Llaho, në formën e rryshfetit, shumën prej 30.000 (tridhjetë mijë) euro, me qëllim që këta të fundit të ushtronin ndikim të paligjshëm tek prokurorja e çështjes, për të lehtësuar pozitat proceduriale të këtij të pandehuri.

Nga ana e shtetasit Pando Papuçi i ka paguar në formën e rryshfetit dhe vlerën prej 25.000 eurosh, avokatit të tij Çlirim Shahini, i cili i ka premtuar se do të ushtrojë ndikim të paligjshëm tek gjyqtarja e çështjes në ngarkim të këtij të fundit.

Në përfundim, pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore si dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit, janë dokumentuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm, veprat penale të sipërpërmendura.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal nr.73 viti 2024, për kryerjen e veprës penale; “Korrupsion pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal, ndërsa më datë 6.1.2025 ka regjistruar emrin e personit nën hetim, Kledjan Llaho, i dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale. Ndërkohë, më 30.1.2025 është bërë regjistrimi i të dhënave dhe i emrit të personit që i atribuohet vepra penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, përkatësisht shtetasve, Pando Papuçi dhe Vasil Bakalli. Gjithashtu, më 17.10.2025, është bërë regjistrimi i të dhënave dhe emri i personit që i atribuohet vepra penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi i katërt i Kodit Penal, për shtetasin Çlirim Shahini.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit