Transmetuar më 29-01-2026, 16:55

Eria Ago, ish-partnerja e Safet Bajrit, ka paraqitur kërkesë për liri në Gjykatën e Lartë, pas zbutjes së masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” nga Gjykata e Posaçme e Apelit.

Ago kishte qëndruar për disa muaj në paraburgim në Pojskë, nën dyshimet se ka ndihmuar Safet Bajrin dhe persona të tjerë të përfshirë në ngjarjen e rëndë të ndodhur më 10 gusht 2018 në Shkodër, ku mbeti i vrarë Fatbardh Lici.

Në deklarimet e saj, Eria Ago ka mohuar kategorikisht akuzat, duke pretenduar se nuk ka pasur dijeni për vrasjen dhe se në ditën e ngjarjes ndodhej në Tiranë. Ajo gjithashtu ka pohuar se nuk ka përdorur asnjëherë automjetin në pronësi të Astmer Bilalit.

Megjithatë, sipas dosjes hetimore të SPAK, rezulton se Ago ka transportuar Astmer Bilalin nga Shkodra në Tiranë, menjëherë pas ngjarjes. Prokuroria pretendon se më 10 gusht 2018, ajo ka qenë në drejtimin e mjetit dhe ka ndihmuar në largimin e Bilalit, duke favorizuar arratisjen e tij.

Çështja mbetet në shqyrtim nga Gjykata e Lartë, e cila pritet të vendosë mbi kërkesën e saj për lirim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit