Transmetuar më 29-01-2026, 16:48

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi të enjten se shërbimi i detyrueshëm ushtarak në vend pritet të hyjë në fuqi në dhjetor të këtij viti ose në mars të vitit 2027. Sipas tij, vendimi përfundimtar do të varet nga gatishmëria e kapaciteteve dhe objekteve ushtarake.

“Ne do ta marrim këtë vendim së shpejti, brenda një ose dy muajve të ardhshëm, do ta dërgojmë në Parlament dhe më pas do të fillojmë regjistrimin e rekrutëve”, deklaroi Vuçiç pas një takimi me udhëheqësit ushtarakë, ku u diskutua gjendja dhe analiza e aftësive të Forcave të Armatosura Serbe për vitin 2025.

“Jemi të shqetësuar për formimin e aleancave ushtarake në rajon dhe në përputhje me rrethanat po veprojmë seriozisht dhe me përgjegjësi, duke mos provokuar askënd, por duke dashur të pengojmë këdo që do të kryente agresion kundër vendit tonë”, tha Presidenti Vuçiç.

Reagimi vjen pak ditë pasi Shqipëria, Kosova dhe Kroacia nënshkruan një marrëveshje ushtarake që ngjalli zilinë e Serbisë.

Vuçiç tha sot se shërbimi ushtarak për të gjithë shtetasit e republikës së Serbisë do të zgjasë dy muaj e gjysmë ose 75 ditë. Regjistrimi i rekrutëve ushtarakë, tha ai, do të fillojë në shtator ose tetor 2026.

“Duhet t’i përgatisim të gjitha pajisjet. Kemi mjaftueshëm armë dhe çizme, por ka ende disa elemente që nuk janë plotësisht gati”, tha Vuçiç, duke shtuar se nevojitet rinovimi i qendrave të rekrutimit, përmirësimi i klinikave ushtarake dhe investime të tjera infrastrukturore.

“Këto janë çështje të rëndësishme, sepse duam të jemi të përgatitur dhe që të rinjtë ta kryejnë shërbimin ushtarak në kushte sa më të mira. Që të fitojnë ndjenjën e përgjegjësisë, seriozitetin dhe një qëndrim të shëndoshë ndaj patriotizmit”, theksoi ai.

Rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak duhet të miratohet nga Kuvendi i Serbisë. Përfaqësuesit e Qeverisë kanë paralajmëruar vazhdimisht këtë hap gjatë viteve të fundit, ndërsa ideja u konkretizua në janar të vitit 2024, kur Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Serbe i propozoi presidentit rikthimin e shërbimit ushtarak. Në shtator të po atij viti, Vuçiç nënshkroi marrëveshjen për rikthimin e tij.

Që nga 1 janari i vitit 2011, shërbimi ushtarak në Serbi ka qenë vullnetar. Ndërkohë, edhe Kroacia fqinje votoi për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, i cili pritet të hyjë në fuqi në tetor 2025.

Ndër vendet që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak bëjnë pjesë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Greqia, Qiproja, Ukraina, Rusia dhe Bjellorusia.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit